Kombëtarja shqiptare barazoi mbrëmjen e djeshme me Serbinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me rezultatin 0-0.
Në përfundim të këtij dueli, në rrjetet sociale ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Duka thotë se ndeshja ishte e bukur, por që edhe mund të fitohej. Ndër të tjera, kreu u FSHF-së, përgëzon lojtarët, por edhe tifozët shqiptarë.
Reagimi i Armand Dukës:
Një ndeshje e bukur, që mund ta kishim fituar
Barazojmë 0-0 me Serbinë dhe ajo që na motivon më së shumti për të ardhmen është loja e bërë, vetëbesimi i lojtarëve, autoriteti i tyre në fushë.
I kishim të gjitha mundësitë për të marrë tre pikët, që do të kishin qenë të merituara nga ana jonë. Gjithsesi futbolli i tillë, jo gjithmonë prodhon rezultatin që meriton.
Përgëzime për djemtë e ekipit, për gjithçka dhanë në fushë, trajnerin Sylvinho dhe stafin teknik për punën e bërë për përgatitjen e ndeshjes dhe për mënyrën se si e drejtuan skuadrën sot.
Falënderojmë edhe tifozët, që sërish ishin në mbështetje të Kombëtares dhe besuan e i dhanë kurajo skuadrës për të marrë maksimumin në fushën e blertë.
Tani duhet të shohim përpara, ndeshja me Letoninë vjen shpejt dhe duhet të jemi gati për të që të japim më të mirën dhe të marrim tre pikët.