Kukësi nuk heq dorë nga huazimet, në kontakte me klube të elitës

- Bota Sot

Kukësi nuk heq dorë nga huazimet, në kontakte me klube të elitës

Klubi i Kukësit ka vendosur të orientojë strategjinë e merkatos së verës drejt huazimeve, duke e parë këtë si rrugën më efektive për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit po zhvillojnë kontakte të vazhdueshme me disa ekipe të elitës së futbollit shqiptar për të huazuar lojtarë me eksperiencë, veçanërisht në repartin e mesfushës dhe të sulmit.

Qëllimi është të sjellin në ekip futbollistë që kanë minutazh të kufizuar në klubet e tyre, por që mund të bëjnë diferencën në një ambient si blutë. Kukësi nuk është i ri në këtë formë merkato. Edhe në sezonet e mëparshme, skuadra verilindore ka ditur të përfitojë nga huazimet për të ndërtuar një grup konkurrues pa shpenzime të mëdha.

Pas një sezoni të vështirë dhe me buxhet të kufizuar në krahasim me vitet e arta, drejtuesit po ndjekin një filozofi të kujdesshme financiare, duke shmangur blerjet e shtrenjta dhe pagat e larta.

Me huazimet, Kukësi synon të ndërtojë një skuadër të fortë pa u përfshirë në gara të pamundura ekonomike me klubet më të paguara të kampionatit. Disa emra tashmë janë në listën e dëshirave të trajnerit dhe drejtorit sportiv, ndërsa ditët në vijim priten lëvizje konkrete.



Lexoni të gjitha në Bota Sot