Bajerni i ka dhënë fund një pushimi të shkurtër veror.
Trajneri Vinsent Kompany dhe yjet e bavarezëve janë rikthyer në fushën stërvitore në “Säbener Straße” që nga 5 qershori për t’u përgatitur për Kupën e Botës për Klube.
Aventura e madhe e ekipit të Mynihut në SHBA fillon më 15 qershor në Sinsinati kundër Okland Siti FC. Trajneri belg i Bajernit është kthyer me ide të qarta nga pushimet. “Çdo titull ka rëndësi për Bajernin”, tha ai.
Për Kompani, Kupa e Botës për Klube është një përparësi absolute. Pak para fillimit të turneut në SHBA, belgu theksoi në “DAZN”: “Mezi e presim turneun që do të nisë në SHBA. Do të jetë një eksperiencë e re dhe jemi të fokusuar për të bërë sa më mirë”. Belgu i stolit të Bajernit e sheh finalen, e cila do të zhvillohet për herë të parë me 32 ekipe, si një mundësi të shkëlqyer për t’ua prezantuar klubin jo vetëm tifozëve ekzistues, por edhe atyre të rinj.
“Sigurisht që do të ketë pasion në këtë turne”, shprehet i bindur ai. Bajerni do të përballet në grupin C me Benfikën, Boka Xhuniors e Argjentinës dhe Okland Siti nga Zelanda e Re.
Kompany shprehu besim se skuadra e tij do të ketë një turne të mirë në SHBA. “I njoh mirë lojtarët e mi dhe çfarë i motivon ata.” Të gjitha ndeshjet do të jenë të veçanta, por sidomos ajo kundër Boka Xhuniorsit dhe Okland Sitit, sepse me Benfikën bavarezët përballen edhe në Ligën e Kampioneve në Europë.
“Të them të drejhtën ndeshja kundër Boka Xhuniorsit do të jetë e veçantë për ne. Do të takohen dy nga klubet më historike dhe me një mbështetje të madhe. Si do të shkojë turneu? Është e vështirë të parashikohet, por do të jetë unik. Kjo është e sigurt”, shtoi numri një i stolit të Bajernit. Turneu në SHBA do të zhvillohet nga 15 qershori deri më 13 korrik.
Së bashku me Bajernin, nga Gjermania do të garojë edhe Borusia e Dortmundit. Përpara se skuadra të shkojë në Shtetet e Bashkuara më 10 qershor, Kompani ka planifikuar katër seanca të tjera stërvitore në Mynih.
Në SHBA, skuadra nga Mynihu do të zhvendoset në selinë e saj në Orlando, Florida. Ndeshja e parë e Bajernit do të jetë në Sinsinati kundër ekipit të Zelandës së Re, Okland Siti (15 qershor, ora 18:00 sipas orës në Tiranë).