Pas humbjes 3-0 ndaj Norvegjisë, Federata Italiane ka marrë vendimin drastik duke shkarkuar trajnerin e “Axurrëve”, Luciano Spalletti-n. Ka qenë vetë tekniku italian që ka zyrtarizuar shkarkimin e tij në një konferencë për shtyp ditën e sotme.
“Mbrëmë isha për darkë me presidentin Gabriele Gravina dhe pas një bisede të gjatë me komunikoi se isha i shkarkuar nga detyra. Ndjej keqardhje, personalisht as nuk kisha ndërmend që të tërhiqesha.
Unë u mundova t’i shërbej vendit tim, pa keqdashje e xhelozi, por ka një vendim për shkarkimin tim dhe jam i detyruar ta pranoj atë”, tha Spalletti. 66-vjeçari konfirmoi se do të drejtojë “Axurrët” edhe në sfidën e nesërme ndaj Moldavisë dhe më pas do firmosë marrëveshjen konsensuale për largimin nga drejtimi i Italisë.
Ndërkohë në mediat italiane janë zbuluar dy kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Spaletti-n. I pari është Claudio Ranieri, i cili mbylli një sezon fantastik në Serie A me Romën dhe duket se është i gatshëm për t’i shërbyer vendit të tij, të paktën deri në përfundim të eleminatoreve për Kupën e Botës.
Emri i dytë që po përmendet është ai Stefano Pioli-t, i cili është ende nën kontratë me Al Nassr, por ish-trajneri i Milan nuk do t’i thoshte “jo” propozimit për të marrë drejtimin e “Axurrëve”.