Marko Arnautoviç i ka dhënë lamtumirën skuadrës së Interit, duke konfirmuar atë që pritej prej kohësh.
Kontrata e sulmuesit austriak mbyllej në fund të qershorit dhe futbollisti ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e klubit.
Këtë ai e ka konfirmuar në fund të ndeshjes që Austria luajti kundër Rumanisë.
Ai u pyet nga mediat nëse do të kthehej te Interi për të punuar me Kristian Kivun, të cilin dikur e kishte shok skuadre në etapën e parë te klubi zikaltër.
“Koha ime te Interi ka përfunduar”, ishte përgjigja e prerë e sulmuesit austriak, i cili gjithsesi i uroi suksese trajnerit të ri.
“I uroj më të mirën, është një trajner i ri dhe i uritur për suksese. Shpresoj që të bëjë një punë të mirë me këtë skuadër të madhe”, tha Arnautoviç para mediave.