Gazeta Insajderi ka mësuar se çfarë kanë deklaruar të akuzuarit para Prokurorisë.
Ata kanë përmendur edhe vendin ku takoheshin, thonë se takoheshin në ‘mesxhid’, një term i gjuhës arabe që i referohet vendit se ku njerëzit falen.
Korab Gashi, një nga të pandehurit për rastin e grabitjes së armatosur në argjendarinë “Dia Kos 2” në Suharekë, ka dhënë mbrojtjen e tij para Prokurorisë Themelore në Prizren më 5 maj 2025, ku ka mohuar përfshirjen në këtë krim dhe ka deklaruar se nuk ka njohuri se si ka ndodhur ngjarja.
Sipas dosjes që Insajderi e ka siguruar, Gashi ka pohuar se e njeh pak të pandehurin tjetër, Bujar Basha, përmes vëllait të tij Dukagjin Gashi, por nuk ka pasur dijeni për raportin mes tyre. Ai ka treguar se Besart Istrefin e njeh prej 3-4 vitesh përmes frekuentimit të restorantit të këtij të fundit dhe se kanë pasur marrëdhënie shoqërore të herëpashershme.
Ndërsa për Leotrim Cakollin, Gashi ka deklaruar se ishte shok me vëllain e tij, dhe se lidhja mes tyre ishte kryesisht përmes interesave të përbashkëta në tregtinë e veturave. Gashi tha se nuk ka pasur një shoqëri të afërt me të.
Për të pandehurin tjetër, Trim Baraku, Gashi ka thënë se njihen përmes praktikimit të fesë islame.
Ata janë falur shpesh së bashku në mesxhide në Fushë Kosovë dhe në xhami të tjera, dhe më pas kanë vazhduar të shoqërohen edhe jashtë aktivitetit fetar.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, në dëshminë e tij, Besart Istrefi është përpjekur të distancohet nga ndonjë përfshirje e drejtpërdrejtë, duke përshkruar marrëdhëniet me të dyshuarit e tjerë si të kufizuara dhe të rastësishme.
Ai ka deklaruar se “Bujarin e kam takuar në mesxhid, ndoshta më së shumti 2 deri në 3 herë.”
Ai e njeh Bujar Bashën përmes vëllait të tij, Dukagjin Gashi, dhe përmendi se në ato pak herë që janë takuar, “kam pirë kafe me të dhe vëllain tim.” Po ashtu shtoi se “Bujar Basha i ka pasur kushtet e këqija dhe vëllai im mi ka dhënë njëherë dyqind euro që t’ia dërgoj.” Pas kësaj, nuk ka pasur më kontakte me të.
Për lidhjet me të tjerët, ai theksoi se:
“Me Besart Istrefin jam shoqëruar ndonjëherë, kemi pirë kafe bashkë, kam shkuar disa herë në restorantin e tij ‘Shega’, edhe me familje.”
“Me Trim Barakun kam ndenjur njëjtë si me Besartin.”
Ndërsa Leotrim Cakollin ka thënë se e ka takuar “vetëm kur ka qenë me vëllain tim.”
Ai ka thënë se “nuk kam njohuri nëse vëllai im Dukagjin Gashi ka ndonjë lidhje me grabitjen në Suharekë.”
Ndërsa lidhur me raportin e ADN-së nga ku rezulton se në vendin e ngjarjes, aty ku ka ndodhur grabitja janë marrë mostrat e gjakut dhe kanë rezultuar që në ato mostra të gjakut është prezent ADN-ja e tij ka theksuar se nuk e di se si ato mostra kanë arritur aty, por ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje më këtë rast.
Lidhur me plagët e freskëta në trupin e tij ka deklaruar se ka plot plagë në trup, dhe të gjitha janë të freskëta, me sa e di ai janë gjithsej 37-38, këto plagë i ka marrë në punë duke u marrë me profesione të ndryshme ndër to edhe heqja e venave të dilatuara nga këmbët.
“Gjatë muajit nëntor të vitit 2023 shumë herë ka qenë në Fushë Kosovë, e ka vozitur veturën “Porsche” të babait të tij dhe një “Chevrolet” ngjyrë të kuqe, vetëm këto dy vetura i ka vozitur, vetura të tjera jo, edhe “Skoda Fabia” me ngjyrë të verdhë e ka vozitur, ky automjet ka qenë i marrë në “Rent a Car” tek një person i quajtur “Luki” dhe nga ky person ka marrë shpesh herë automjet me qira dhe njëkohësisht i ka gjetur edhe klientë. Vëllai i tij Dukagjini i ka kërkuar që të ia gjej veturën “Skoda Fabia” sepse atij askush nuk i ka dhënë veturë me qira për 2 ditë pasi që e ka pasur shok “Lukin”, “Luki” ia ka dhënë me qira “Skoda Fabia”. Edhe pse familja e tij i ka dy automjete, njëri nga automjetet është i babait të tij, ndërsa tjetri është i tij, kështu që vëllai i tij Dukagjini domosdoshmërisht ka marrë automjet me qira kur ka pasur nevojë”, thuhet në dosjen për Korab Gashin.
Korab Gashi ka deklaruar se më 16 nëntor 2023 është takuar me Besart Istrefin në Fushë Kosovë, por nuk ka blerë ndonjë veturë atë muaj – ndoshta ka blerë vëllai i tij, Dukagjin Gashi, me të cilin jetonte veçmas dhe nuk kishte kontakte të afërta.
Ka qenë në shtëpinë e Bujar Bashës për ta vizituar për shkak të sëmundjes së nënës së këtij të fundit. Më 22 nëntor 2023 thotë se ka qenë në shtëpi dhe në Prishtinë, ndërsa më 25 nëntor mohon të ketë qenë në pompën “Shell Petrol” në Vragoli, ndonëse kamerat e sigurisë e lidhin atë me dorëzimin e disa veturave bashkë me Besart Istrefin.
Ai ka pranuar që është shoqëruar me disa nga të pandehurit, por ka theksuar se nuk ka dijeni për aktivitetet apo planet e tyre, përfshirë ndonjë grabitje.
Termin mesxhid e përdor edhe Bujar Basha
Në deklarimin e tij para prokurorisë më 17 dhjetor 2024, i pandehuri Bujar Basha ka mohuar çdo përfshirje në grabitjen e argjendarisë “Dia Kos 2” në Suharekë, duke theksuar se njohjet me disa nga të pandehurit e tjerë kanë qenë të rastësishme dhe kryesisht kanë ndodhur në ambiente fetare dhe sportive.
Basha ka deklaruar se me të pandehurin Besart Istrefi është njohur për herë të parë gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Dyz, në vitin 2018, ku kishin ndarë të njëjtin ambient për rreth 2-3 muaj. Pas lirimit nga burgu më 14 shtator 2023, ai ka qëndruar përkohësisht në shtëpinë e motrës së tij në Caralevë, para se të zhvendosej në një banesë me qira në Fushë Kosovë – vendi ku edhe është arrestuar më vonë.
Në periudhën pas lirimit, sipas deklaratës së tij, ai është përkujdesur për nënën e sëmurë, duke e shoqëruar në spitale në Kosovë dhe më pas në Shkup për vendosje të stendave në zemër.
Basha thotë se kontaktet e tij me disa nga të pandehurit kanë filluar rastësisht në një mesxhid në xhaminë e Fushë Kosovës, ku është takuar sërish me Besart Istrefin. Pikërisht nëpërmjet këtij të fundit, ai pretendon se është njohur edhe me Dukagjin Gashin, me të cilin ka pasur kontakte të herëpashershme edhe përmes telefonit. Ndërkohë, Korab Gashin thotë se e ka takuar vetëm 2-3 javë para arrestimit, ndërsa për Leutrim Cakollin thekson se nuk ka pasur takime direkte, por vetëm në shoqëri të Dukagjinit, pasi të dy janë miq të ngushtë.
Për Trim Barakun, Basha deklaron se është takuar me të po ashtu në mesxhid, gjatë faljes së namazit. Ai shton se me të pandehurit është takuar herë pas here edhe jashtë xhamisë, gjatë ndeshjeve të futbollit në lagjen “Dardania”, të cilat zhvilloheshin dy herë në javë, të mërkurën dhe të premten.
“Nuk di asgjë për ta”, përfundon deklaratën e tij Bujar Basha, duke mohuar çdo përfshirje apo dijeni për veprimtarinë e të pandehurve të tjerë në këtë rast penal.
I pandehuri Besart Istrefi, në deklarimin e dhënë më 18 dhjetor 2024 para Prokurorisë, ka pranuar njohjen me disa nga të pandehurit e tjerë në këtë rast penal, por ka theksuar se kontaktet me ta kanë qenë sporadike dhe të karakterit shoqëror, kryesisht në ambiente fetare dhe sportive.
Istrefi ka deklaruar se Korab Gashin e ka njohur që nga viti 2021, pas daljes nga burgu dhe ndërprerjes së arrestit shtëpiak. Ai thekson se njohja ka ndodhur në restorantin familjar “Shega” në Milloshevë, dhe prej asaj kohe kanë mbajtur kontakte të herëpashershme, përfshirë edhe takime gjatë faljes së xhumasë dhe lojëra futbolli në të njëjtën ditë.
Për Dukagjin Gashin, vëllanë e Korabit, ka thënë se është njohur nëpërmjet të parit, dhe se ai ka qenë shpeshherë klient në restorantin e familjes së tij.
Ndërsa për Bujar Bashën, ka deklaruar se njihen që nga koha e paraburgimit në burgun e sigurisë së lartë në Dyz, ku kishin qëndruar në të njëjtin pavion për rreth 9 muaj.
Në pjesën më interesante të dëshmisë së tij, Istrefi përmend edhe Leotrim Cakollin, për të cilin thotë se e ka takuar në një vend faljeje të quajtur mesxhid, në qytetin e Fushë Kosovës, gjatë ditëve të xhumasë. Ai shton se pas faljes së xhumasë, ndodhte që të pinin kafe së bashku në ndonjë kafiteri ose restorant të zonës.
“Parimisht, unë nuk e di çfarë veture ka kush, as që më ka interesuar ndonjëherë”, ka thënë Istrefi, duke u përpjekur të largojë çdo dyshim për lidhje më të thella me të pandehurit e tjerë.
I pandehuri Leotrim Cakolli, në dëshminë e dhënë para prokurorisë lidhur me rastin e grabitjes së ndodhur në argjendarinë “Dia Kos 2” në Suharekë, ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në çfarëdo forme në veprën penale dhe ka sqaruar kontaktet me të pandehurit e tjerë.
Cakolli ka deklaruar se me Dukagjin Gashin është lidhur për shkak të profesionit, pasi që të dy merren me shitblerje të automjeteve dhe pjesëve të tyre. Ai ka sqaruar se Dukagjini i kishte thënë që automjetet e lëna në një autolarje i përkisnin një personi tjetër dhe se i kishte marrë për t’i shitur ose ofruar për shitje, por më pas ia kishte kthyer pronarit.
Për sa i përket kontakteve me të pandehurit e tjerë, ka thënë se për herë të fundit është takuar me Bujar Bashën dhe Korab Gashin dy javë para arrestimit, ndërsa nuk i kujtohet nëse ka komunikuar me ta përmes telefonit. Numrat e Besart Istrefit, Dukagjinit dhe Korabit i ka pasur të regjistruar në telefon, por jo edhe të Bujar Bashës dhe Trim Barakut.
Në lidhje me vendndodhjen e tij në ditën e grabitjes, Cakolli ka qenë i qartë: “As ditën kritike, por as më herët e as më vonë nuk kam qenë në fshatin Caralevë”, duke shtuar se në Suharekë kishte qenë vetëm një herë, në vitin 2016-2017, për një seminar në hotelin “Solid”.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së tij përqendrohet te vendi i faljes. Cakolli ka deklaruar se Trim Barakun e njeh nga xhamia – mesxhidi, i cili ndodhet afër banesës së tij në Fushë Kosovë. “Më ka ndodhur të shkoj për të falur xhumanë, teravinë, po ashtu edhe Dukagjini më ka ftuar disa herë për t’u falur në atë mesxhid,” ka thënë ai.
Edhe i pandehuri Trim Baraku, argjendar nga Prishtina, ka mohuar përfshirjen në rastin e grabitjes në argjendarinë “Dia Kos 2” në Suharekë, duke deklaruar se takimet me disa nga të pandehurit kanë qenë sporadike dhe të lidhura kryesisht me ambientet fetare apo shoqëri të zakonshme.
Baraku theksoi se me Besart Istrefin ka një shoqëri 5-6 vjeçare, të cilin e ka njohur përmes restorantit familjar që ky i fundit e menaxhon në Milloshevë. Nga shtatori i vitit të kaluar, ata janë afruar më shumë dhe kishin synim të hapnin një biznes së bashku në Prishtinë, pranë lokalit të Barakut, të quajtur “Pasta Box”.
Sa i përket njohjes me Bujar Bashën, Baraku deklaroi: “Atë e njoh shumë pak. Me të jam takuar disa herë në xhami – mesxhid, si dhe disa herë kemi luajtur futboll me të.”
Në deklaratën e tij, Baraku përmend edhe Korab Gashin, me të cilin ka lidhje familjare dhe fetare, por jo lidhje biznesi. Ndërsa Dukagjin Gashin e ka njohur përmes vëllait të tij Korabit. Për Leutrim Cakollin, Baraku tha se e ka njohur vetëm si figurë, por nuk ka pasur biseda me të, duke shtuar se ai ka qenë shok i Dukagjin Gashit.
Sipas dosjes, mesxhidi në Fushë Kosovë del të ketë qenë një pikë e përbashkët takimi për disa nga të pandehurit, ku ata pretendojnë se janë njohur apo janë takuar rastësisht gjatë faljes së namazeve, duke e përshkruar këtë hapësirë fetare si një vend socializimi dhe jo planifikimi kriminal.