Rusia sulmon Ukrainën me një numër rekord dronësh

- Bota Sot

Rusia sulmon Ukrainën me një numër rekord dronësh

Moska ka sulmuar Ukrainën me 479 dronë – numër rekord i fluturakeve pa pilot – përfshirë rajonin perëndimor të Rivnes, që është kursyer gjerësisht nga sulmet, tha Kievi më 9 qershor. Ukraina po ashtu pretendoi se ka kryer një sulm ndaj një fabrike ruse, qindra kilometra në lindje të Moskës.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet e saj në mbarë Ukrainën në javët e fundit. Kievi ka thënë se këto sulme tregojnë se Kremlini nuk e ka ndërmend të ndalë pushtimin e Ukrainës, që nisi mbi tre vjet më parë, dhe nuk është serioz në lidhje me bisedimet për paqe.

Moska tha të hënë se ka vazhduar sulmet hakmarrëse pas sulmit ukrainas ndaj avionëve bombardues rusë, që gjendeshin në baza ajrore thellë brenda Rusisë, përfshirë në Siberi. Ky sulm ukrainas ka zemëruar Kremlinin.

Në sulmet ruse të kryera gjatë natës ka pasur dëme në disa rajone ukrainase, por autoritetet nuk kanë raportuar për viktima.

“Sulmet ajrore të armikut janë regjistruar në dhjetë vende”, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.

Kryetari i qytetit Rivne, Oleksandr Tretyak, e quajti “sulmin më të madh” në rajon që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022.

Guvernatori rajonal, Oleksandr Koval, tha se 70 ndërtesa – përfshirë shtëpi private dhe një çerdhe – u dëmtuan gjatë sulmit.

Rusia tha se ka shënjestruar një bazë ajrore afër fshatit Dubno në rajonin Rivne.

“Ky është një nga sulmet hakmarrëse për sulmet terroriste të regjimit të Kievit të kryera ndaj bazave ajrore ruse”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Rusia është zotuar se do të hakmerret për sulmin e kryer javën e kaluar nga Kievi ndaj bazave ajrore ruse.

Ukraina tha po ashtu se gjatë natës ka sulmuar një fabrikë ku bëhen pjesët për dronët rusë, në qytetin Çeboskari, që gjendet 600 kilometra në lindje të Moskës.

Zyrtarët rusë thanë se, pas këtij sulmi, prodhimi në këtë fabrikë është ndërprerë përkohësisht./REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot