Flamuri i UÇK-së u ndalua në stadium në ndeshjen me Serbinë, reagojnë ashpër Tifozat Kuq e Zi: Shqipëria është e përjetshme, ju jeni…

- Bota Sot

Flamuri i UÇK-së u ndalua në stadium në ndeshjen me Serbinë, reagojnë ashpër Tifozat Kuq e Zi: Shqipëria është e përjetshme, ju jeni…

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar ashpër ndaj veprimeve gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, ku u ndalua shfaqja e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Ata e konsiderojnë këtë si një shkelje të identitetit kombëtar dhe një tentativë për të fshehur historinë e luftës për liri.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, grupi i njohur i tifozëve shprehet se:

“‘800 mijë kërkesa për bileta’, thanë. Në fund, stadiumi kishte mbi 2 mijë karrige bosh. Tifozët shqiptarë i’u nënshtruan kontrolleve që s’i gjen as në aeroportet më të rrepta të botës, e jo më në sport. Në asnjë stadium, në asnjë sport, në asnjë vend të botës nuk ndalohen simbolet e kombit tënd.

Dje u konfiskuan bluza e shalla me mbishkrimet nga më të ndryshmet: “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova”, “Shkëndija” etj. Simboli i UÇK-së? As që diskutohet. Për pak flamuj të futur brenda pamë skena qesharake e përçmuese: mbi 20 policë u vërsulën të zhveshin një djalë që mbante në gjoks shqiponjën dykrenare dhe stemën e UÇK-së. Ky “krim” nuk ndalohet me ligj në asnjë qytet të Shqipërisë – pse stadiumi qenka më i veçantë? Në stadiumin tonë, ku duhet t’i këndohet vendit dhe identitetit tonë, simbolet tona kombëtare u trajtuan si një rrezik.

Sa për simbolin e UÇK-së, ua përsërisim: ne, Tifozat Kuq e Zi, marrim përsipër çdo gjobë që mund t’ju vendoset për të. Dërgoni faturat që sot. Pra, flamurin e UÇK-së nuk do t’a ndalni kurrë! As ju, as miqtë tuaj në beograd, e askush në këtë planet. E kemi shpalosur në çdo ndeshje të Kombëtares tash e 21 vite, dhe njejtë do të veprojmë edhe nesër në Riga, e në ndeshjet e rradhës. Të shtunën u futëm në stadium vetëm për këtë gjë. Pasi arritëm qëllimin dhe shpalosëm flamurin e UÇK-së, lëshuam përsëri stadiumin. Ju sfidojmë të na ndalni.

Edhe “dënimet” për këtë gjë janë shpifje, siç ishte lajmi i rremë për “dënimin e tribunës” apo shorti farsë i biletave. Simbolin e UÇK-së nuk na e kanë ndaluar në asnjë stadium europian, e as në dy Europianet e fundit. Vetëm në beograd e në stadiumin që menaxhoni ju. Kjo ndjenjë e inferioritetit ndaj shkijeve është e paparë nga ana e FSHF-së. Të mjerë! Historia do t’ju mallkojë. Do t’ju mallkojë gjaku i mijëra dëshmorëve që luftuan nën atë simbol. Do t’ju mallkojë edhe gjaku i mijëra fëmijëve të masakruar që s’u lanë të rriteshin kurrë, vetëm pse ishin Shqiptarë.

I gjithë ky spektakël u bë që të shesin në Nyon idenë se “jemi miq” me armikun më të madh historik të kombit shqiptar. Hasmi mik nuk bëhet kurrë. Miqësinë e shkijeve do ta shohim përsëri në tetor.

Për ju kjo është punë; për ne është pasion. Ju paguheni në fund të muajit; ne jetojmë për ndeshjen e rradhës. Dhe do të jemi aty edhe të martën në Riga. Jo me biletat që na i ndaluat, as me ‘30 biletat’ që ua keni ndarë stafit tuaj për t’u mburrur se “kaq tifozë kishim”, por me zemrën e pasionin që nuk e blini dot. Siç kemi qenë 21 vjet, nga Rejkjaviku në Tbilisi, do të jemi prapë në çdo cep të botës ku luan Shqipëria.

Ju në ato zyra jeni të përkohshëm. Shqipëria është e përjetshme.

p.s. Sa për shkijet, i kemi mundur e do t’i mundim gjithmonë.

Tifozat Kuq e Zi

O sa mirë me qenë Shqiptar!”, shkruhej në postim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot