Më shumë luftë, më pak shpërblime: Çka do të thotë kjo për luftën e Rusisë në Ukrainë?

- Bota Sot

Më shumë luftë, më pak shpërblime: Çka do të thotë kjo për luftën e Rusisë në Ukrainë?

Më shumë se 40 muaj pas nisjes, lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon me intensitet.

Moska po përparon gjetiu, e mbështetur nga mijëra vullnetarë, që joshen me paga të larta e përfitime të tjera të majme.

Në disa zona, shpërblimet për rekrutët e rinj e tejkalojnë një vit pagë.

Kjo shumë ka ndryshuar shumë ekonomi familjare dhe ka rritur mbështetjen për konfliktin.

Edhe pse humbjet janë në nivele të papara që nga Lufta e Dytë Botërore, ato nuk i kanë ndalur rekrutimet.

Sipas një vlerësimi të ri, Rusia do të ketë mbi 1 milion të vrarë ose të plagosur deri në verë.

Por, kjo situatë po ndryshon.

Javëve të fundit, së paku pesë rajone në Rusi i kanë ulur shpërblimet e njëhershme të rekrutimit për vullnetarët e rinj.

Më 5 qershor, rajoni i Volgës në Bashkortostan u bë i fundit që e uli në gjysmë pagesën për rekrutët e rinj.

Ekspertët shpjegojnë se kjo situatë lidhet pjesërisht me kufizimet buxhetore, pasi qeveritë rajonale po përballen me vështirësi financiare për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

“Besoj se, nga njëra anë, kjo lidhet me gjendjen e tensionuar të buxhetit rajonal”, thotë për Radion Evropa e Lirë një ekonomist nga Bashkortostani.

“Nga ana tjetër, kjo mund të jetë një tregues se nevoja për të tërhequr ushtarë kontraktualë, nuk është më aq urgjente”, shton eksperti, i cili kërkoi të mbetej anonim për të shmangur ndjekjen nga autoritetet.

Zvogëlimi i shpërblimeve

Gjatë pjesës më të madhe të luftës, forcat ruse kanë përdorur kryesisht sulme të drejtpërdrejta të këmbësorisë për të mundur pozicionet ukrainase - gjë që ka shkaktuar numër jashtëzakonisht të lartë viktimash.

Nga frika e reagimit të popullit, Kremlini e ka shmangur shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm.

Në vend të kësaj, autoritetet kanë përdorur një kombinim forcash: kompani private mercenare si Wagner kanë bërë rekrutime të pavarura, ose të burgosurit janë nxjerrë dhe detyruar të regjistrohen, duke u premtuar amnisti pas përfundimit të shërbimit.

Që nga viti 2023, Kremlini ka vendosur edhe kuota rekrutimi për rajonet, duke i nxitur qeveritë lokale që t’i organizojnë vetë fushatat e tyre dhe të ofrojnë shpërblime.

Sipas Janis Kluges, i cili ndjek shpenzimet e Rusisë për luftën në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri në Berlin, këto shpërblime, së bashku me paratë nga Ministria e Mbrojtjes, arrijnë deri në 24 milionë dollarë në ditë në të gjithë vendin.

Në fillim të vitit 2025, Kluge vlerësoi se midis 1.000 dhe 1.500 burrave regjistroheshin çdo ditë për të luftuar.

Mesatarja e shpërblimeve në 37 rajonet që ai monitoronte, ishte 1.4 milion rubla, apo rreth 17.700 dollarë - shumë kjo më e lartë se paga mesatare vjetore në shumicën e rajoneve.

Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia po rekrutonte rreth 60.000 burra në muaj.

Në Bashkortostan, qeveria rajonale i ka rritur gradualisht shpërblimet për rekrutim: nga 205.000 rubla në verën e vitit 2022, në 505.000 rubla dy vjet më vonë, dhe më pas, në fillim të vitit 2025, i ka trefishuar në 1.6 milion rubla (rreth 20.190 dollarë).

Tani, sipas një dekreti të datës 5 qershor, të nënshkruar nga kreu rajonal, Radiy Kharibov, kjo shumë është ulur në 1 milion rubla (rreth 12.620 dollarë).

Kryeqyteti rajonal, Ufa, që ka shpërblimin e vet për rekrutim, e ka zvogëluar po ashtu shumën që ofron për rekrutim.

Varre të njerëzve të vrarë në Buça, pranë Kievit.

Bashkortostani është një nga rajonet me numrin më të lartë të ushtarëve të vrarë në Ukrainë, sipas të dhënave të mbledhura nga Shërbimi tatar-bashkir i Radios Evropa e Lirë, BBC-ja në rusisht dhe media të pavarura si Mediazona.

Rajone të tjera që kanë ulur shpërblimet për rekrutim, janë: Jamal-Nenets dhe Nizhni Novgorod.

Në Samara, pagesa për ushtarët e rinj ka qenë më e larta në vend - 3.6 milionë rubla (rreth 45.430 dollarë) - por që nga fundi i shkurtit është ulur në 2.1 milionë rubla (rreth 26.500 dollarë).

Ekonomia e përshtatur e Rusisë

Pasi Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, qeveritë perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, për ta detyruar që të ndalte agresionin.

Megjithatë, ekonomia ruse rezultoi më e qëndrueshme sesa parashikuan shumë ekspertë, pjesërisht falë të ardhurave të vazhdueshme nga shitja e naftës dhe gazit jashtë vendit.

Kremlini ka investuar para jo vetëm në rekrutimin e ushtarëve, por edhe në përshtatjen e ekonomisë, duke zgjeruar kapacitetet industriale ushtarake për të prodhuar tanke, armë dhe bomba.

Por, ky transformim ka rënduar ekonominë, ka rritur inflacionin dhe ka detyruar bankën qendrore t’i rrisë normat e interesit, duke e bërë më të shtrenjtë për qytetarët marrjen e kredive për banesa apo produkte të mëdha.

Sipas disa parashikimeve evropiane, rritja ekonomike e Rusisë pritet të ngadalësohet këtë vit në 1.7 për qind, ose deri në 2 për qind, sipas disa vlerësimeve të tjera.

Abbas Gallyamov, analist politik në mërgim dhe ish-këshilltar i Putinit, thotë se arsyeja kryesore përse rajonet po i ulin pagesat për rekrutët, është mungesa e parave.

“Po u mbarojnë fondet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot