Laporta po përdor diplomacinë

- Bota Sot

Laporta po përdor diplomacinë

Joan Laporta ishte të dielën në Mynih, ku ndoqi ndeshjen që kombëtarja spanjolle luajti kundër Portugalisë, finalen e “Nations League”. Një ndeshje ku ishin të thirrur gjashtë lojtarë të Barcelonës.

Por presidenti katalanas, përveçse për të parë lojtarët e tij, kishte edhe një tjetër qëllim të caktuar në agjendën e këtij udhëtimi: të takohej me presidentin e UEFA-s me synimin që dënimi, me të cilin përballet Barcelona për parregullsi financiare, të jetë sa më i lehtë.

Në klubin blaugrana janë të vetëdijshëm se do të marrin një denim, që vjen si pasojë e mospërputhjeve kontabël me organin më të lartë të futbollit europian. Pika e debatit ka të bëjë me të famshmet “levat ekonomike” që aktivizoi Barcelona dhe që shërbyen për të sjellë lojtarë si Lewandowski, Koundé apo Raphinha.

Në La Liga këto të ardhura konsiderohen si të zakonshme, ndërsa UEFA i sheh si të jashtëzakonshme dhe, për rrjedhojë, jashtë rregullave. Laporta e trajtoi këtë temë me Aleksander Ceferin, për t’ia shpjeguar këto dallime kontabël që ekzistojnë mes dy organizmave dhe që në La Liga janë plotësisht të vlefshme.

Presidenti i Barcelonës doli shumë i kënaqur nga takimi me kreun e UEFA-s dhe shpreson që dënimi të mos jetë i rëndë. Natyra e dënimit mund të ndryshojë shumë në varësi të interpretimit të këtyre parregullsive dhe Barcelona dëshiron që të jetë sa më i lehtë.

Përveç kësaj rruge diplomatike që ka ndjekur Laporta, klubi ka aktivizuar edhe rrugën ligjore, duke dërguar argumentet e veta në UEFA. Barcelona u gjobit dy vite më parë me gjysmë milioni euro.

Tani, duke qenë përsëritëse, dënimet pritet të jenë më të rënda dhe të prekin aspektin sportiv. Klubi mund të përballet me kufizim të numrit të lojtarëve që mund të regjistrojë në Champions League ose humbje pikësh në këtë kompeticion. Barça po punon që dëmi të jetë sa më i vogël.



Lexoni të gjitha në Bota Sot