Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se nga sot do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i të gjitha automjeteve në trafikun rrugor në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin e saj R7, drejtimi Prishtinë-Mitrovicë, ose segmenti mbi zonën industriale të Fushë Kosovës, deri në njoftimin e radhës (120 ditë kalendarike).
Vendimin e ka nënshkruar zëvendësministri në detyrë i ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Vendimi hynë në fuqi sot-ditën e nënshkrimit. Punimet në këtë segment do të zhvillohen pas pranimit të një kërkese nga Carabinieri KFOR MSU, të cilët kanë kërkuar devijimin dhe mbylljen e këtij segmenti të kësaj autostrade me qëllim të vendosjes së barrierave akustike . Punimet në fjalë do të kryhen nga ana e kompanive “MAK CONTRUZIONI”srl dhe “VIA “SH.P.K.
Këto kompani do të ndërmarrin të gjitha veprimet për vendosjen e sinjalizimit, të nevojshëm sipas planit të menaxhimit të trafikut për mbylljen dhe devijimin e qarkullimit rrugor duke bashkëpunuar me Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve –MMPHI, dhe Policinë e Kosovës për të krijuar kushte të sigurta për pjesëmarrësit në trafik. Trafiku do të zhvillohet bazuar në planin e caktuar nga KFOR-i, luten të gjithë qytetarët për kujdes dhe mirëkuptim”, thuhet në njoftim.