Prishtina feston nesër 26-vjetorin e Çlirimit me ndeshje bamirësie për komunitetin Down Sindromë

- Bota Sot

Prishtina feston nesër 26-vjetorin e Çlirimit me ndeshje bamirësie për komunitetin Down Sindromë

Në kuadër të aktiviteteve për 26-vjetorin e Çlirimit të Prishtinës, Komuna e Prishtinës organizon nesër një ndeshje bamirësie me yje të sportit dhe muzikës.

Kryetari Përparim Rama njoftoi se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit nga ora 20:00 dhe do të jetë një ngjarje festive dhe e paharrueshme.

“Jam me dy yje të Kosovës që na kanë bashkangjitur, nesër e kemi të organizuar ndeshjen e yjeve ku na nderojnë me prezencën e tyre. Ndeshja do të mbahet në stadiumin e kryeqytetit në ora 20:00, do të jetë një ndeshje bamirësie ku yjet tanë nga sporti e muzika do ta bëjmë një lojë të mrekullueshme si kurrë më parë. E mora vesh që do të jem ekip me Milotin kundër Edonit, por do ua lëshoj. I ftoj të gjithë që të na bashkangjiten në ndeshjen e yjeve, një ndeshje fantastike që do të mbahet mend. Biletat janë 2 euro deri 5 euro, këto monedha do të shkojnë për komunitetin Down Sindromë”, shtoi Rama.

Yjet e kombëtares Edon Zhegrova dhe Milot Rashica, të pranishëm në konferencën për media, ftuan qytetarët të marrin pjesë me familjet për të festuar dhe për të kaluar një natë të bukur në nder të kësaj date historike.

Zhegrova theksoi se në këtë lojë do të bëjnë më të mirën.

“I ftoj të gjithë qytetarët të vijnë me familje, me shiju dhe me pasur një natë të mirë dhe ne do të bëjmë më të mirën, të shijojmë ditën e çlirimit të Prishtinës”, deklaroi Zhegrova.

Kurse futbollisti Milot Rashica theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojmë komunitetin me Down Sindromë.

“Kam qenë edhe në herën e parë dhe ka qenë një gjë e mirë dhe ndihem mirë të kem rastin prapë këtu. Qëllimi është diçka e rëndësishme dhe shpresoj të kalojmë sa më mirë”, Rashica.



Lexoni të gjitha në Bota Sot