Detaje të reja nga tragjedia në Austri

- Bota Sot

Detaje të reja nga tragjedia në Austri

Lea Bajrami është në mesin e nëntë personave të vrarë në një shkollë të mesme në Grac të Austrisë, pasi një 21-vjeçar hapi zjarr.

Sulmuesi i dyshuar, ish-nxënës i kësaj shkolle, më pas ka vrarë veten teksa qëndronte në një tualet të kësaj shkolle, thanë autoritetet.

Kancelari gjerman, Christian Stocker, tha se kjo është një "ditë e errët në historinë e shtetit tonë", teksa shtoi po ashtu se do të shpallen tri ditë zie.

I dyshuari kishte përdorur një armë të gjatë dhe një pistoletë, thanë zyrtarët policorë gjatë një konference për media më 10 qershor, duke shtuar se ende janë duke e hetuar motivin e këtij sulmi.

Të dy armët e zjarrit, i dyshuari i kishte me leje, thanë autoritetet.

Nga nëntë viktimat, gjashtë ishin meshkuj dhe tre femra, tha ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Dymbëdhjetë persona po ashtu janë plagosur dhe disa, sipas Karnerit, kanë plagë serioze.

Kryetarja e qytetit të Gracit, Elke Kahr, e përshkroi sulmin si “tragjedi e tmerrshme”.

Policia austriake tha më herët se beson se sulmuesi veproi i vetëm.

Të shtënat në gjimnazin BORG Dreierschützengasse ishin raportuar në orën 10:00 të mëngjesit dhe pas kësaj edhe forcat speciale ishin dërguar në vendngjarje.

Rreth një orë më vonë, policia njoftoi në rrjetin social X se të gjithë janë evakuuar nga shkolla dhe janë dërguar në vend të sigurt.

Policia shtoi se situata është “nën kontroll” dhe se nuk ka më rrezik.

Ngjarja në Grac është dënuar nga udhëheqësit kryesorë evropianë.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “shkollat janë simbol i rinisë, shpresës dhe të ardhmes”, duke shtuar se është e rëndë kur “shkollat bëhen vende të vdekjes dhe dhunës”.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Friedrich Merz, po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.



Lexoni të gjitha në Bota Sot