Një rrëmujë po krijohet në lidhje me kalendarin e sezonit të ardhshëm në Spanjë, i nxitur nga Kupa e Botës për Klube që po vjen.
Ajo në fakt ka prishur shumë çështje të planifikuara më parë.
Aktualisht ka një mosmarrëveshje midis La Liga-s dhe Shoqatës së Lojtarëve të Futbollit Spanjoll (AFE) mbi datën e fillimit të sezonit të ligës për dy ekipet spanjolle që marrin pjesë në turneun e FIFA-s,
Reali i Madridit dhe Atletiko e Madridit. Ndërsa “AFE” po kërkon pajtueshmëri me marrëveshjen kolektive të negociatave, e cila garanton tri javë pushime dhe parasezon, La Liga ka arritur një marrëveshje verbale me klubet për të shtyrë ndeshjet e tyre vetëm nëse arrijnë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube, ndryshe nga qëndrimi i AFE-së, e cila propozon shtyrjen e ndeshjeve nga 1/8 e finaleve e përtej.
Tebas e ka bërë të qartë se Reali dhe Atletiko do të kenë mundësi për ndonjë javë më shumë pushim. Por Tebas paralajmëroi: “Nuk mund të jemi në garën tonë në varësi të Kupës së Botës për Klube, një kompeticion në të cilën as ligat evropiane dhe as klubet nuk janë dakord. Diktimi i orarit prej tyre është i dëmshëm për garën”.