Duka i pakënaqur me rezultatet e Shqipërisë, paralajmëon analizë të thellë

- Bota Sot

Duka i pakënaqur me rezultatet e Shqipërisë, paralajmëon analizë të thellë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas barazimit zhgënjyes 1-1 të Kombëtares shqiptare në transfertë ndaj Letonisë, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “FIFA 2026”. Në një reagim në rrjetet sociale, Duka shprehu qartazi pakënaqësinë për rezultatin, por gjithashtu dërgoi një mesazh të fortë reflektimi dhe motivimi për pjesën e mbetur të kualifikueseve, transmeton Kp.

“Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do të donim të shihnim, as rezultati që do të duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari i shfrytëzoi ato. Duhej t’i kishim marrë të tria pikët, por dalim vetëm me një,” ka shkruar kreu i FSHF-së.

Me katër ndeshje të zhvilluara dhe katër të tjera përpara, Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë në Grupin K me 5 pikë. Presidenti Duka thekson se asgjë nuk ka përfunduar dhe se skuadra do të luftojë deri në fund për objektivin e madh – kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

“Gjysma tjetër e mbetur e ndeshjeve eliminatore na imponon të jemi me mendësi dhe energji krejt të tjera. Kuptoj dhe mirëkuptoj ndjeshmërinë e secilit për ekipin kombëtar. Gara është ende e hapur dhe asgjë nuk është mbyllur për askënd.”

Ai theksoi gjithashtu se stafi teknik do t’i nënshtrohet një analize të thelluar për të kuptuar dhe përmirësuar aspektet ku është gabuar, duke theksuar bindjen se kjo do të sjellë reagim të menjëhershëm në ndeshjet e radhës.

“Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset dhe mundësitë që kemi në këmbët tona. A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli. A kemi gabime që kërkojnë analizë të qetë dhe të matur? Pa dyshim.”

Deklarata e Presidentit Duka mbyllet me një mesazh besimi dhe vendosmërie:

“Ne jemi Shqipëria! Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi. Rikthehemi në shtator!”, ka shkruar në fund i pari i FSHF-s, Armand Duka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot