Të martën në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj Dodë Ricës, pronarit të rrjetit të lokaleve të striptizmit “Club Shqiponja”. Ai së bashku ma Ana Gjoshin akuzohen se kanë kryer veprat penale: ofrim i lokaleve për prostitucion, mundësim ose detyrim i prostitucionit dhe trafikim me qenie njerëzore, shkruan Insajderi.
Rica u arrestua në gusht të vitit të kaluar në qytetin e Durrësit, ndërsa Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit miratuan arrestin me burg dhe më pas ekstradimin e tij në Kosovë. Aktualisht gjendet në paraburgim, ndërkaq Gjoshi është në arrati në Dubai.
Insajderi ka siguruar aktakuzën, ja si funksiononte rrjeti.
Ana Gjoshi si menaxhere e club-it fillimisht siguronte kontaktet me gratë nëpërmjet rrjeteve sociale, më pas Rica u dërgonte ftesa për të punuar dhe kryer pushimet në Shqipëri. Ata siguronin mjetet e transportit. Më të mbërrir direkt i dërgonin në Prishtinë në klubin “Shqiponja Club”.
Më të arrirë, Gjoshi ua merrte pasaportat grave dhe i vendosnin në ambiente ku ishin të monitoruara nga kamerat, përveç kësaj, me qëllim kontrollimi, atyre u ishte caktuar edhe koha se kur mund të dalin jashtë.
Me anë të këtyre masave ata i detyronin ato të zhvisheshin nudo, të shkonin në dhomat VIP tek klientët, duke i detyruar të kryenin edhe marrëdhënie seksuale, shkruan Insajderi.
Deklaratat tronditëse të grave
Në deklaratën e dhënë në Polici, M.M ka pohuar se ishte marrë në punë si valltare, por më pas ishte detyruar të kryente marrëdhënie me klientë. Sipas saj, qëndrimi për 10 minuta në dhomë me një klient paguhej 150 euro.
“Puna ime ka qenë të jem valltare, por aty nuk bëhet fjalë për diçka të tillë. Aty bëhet zhveshja e femrave. Jam detyruar të zhvishem plotësisht për t’i kënaqur klientët. Menaxherja Ana, me anë të gjesteve, më ka bërë me shenjë që të shkoja në dhomë me klientë. Dhomat ishin të ndara me perde. Qëndrimi 10 minuta në dhomë paguhej 150 euro, por unë merrja vetëm 20 euro. Në rastet kur kam kryer seks oral, kam marrë 400 euro, prej të cilave 200 i ka marrë Ana. Besoj që, nëse nuk do i kisha kryer këto veprime, do isha rrahur si kolegia tjetër, L. Në lokalin ku punoja më kanë ofruar edhe drogë. E kam konsumuar kur kanë ardhur shokët e Dodës. Me ta kemi kryer marrëdhënie, madje Doda ka ardhur dhe i ka hapur perdet për të parë nëse po bëja marrëdhënie me ta”, ka deklaruar njëra nga gratë, shkruan Insajderi.
Në deklaratën e saj në Polici, M.L ka thënë se pasaportat mbaheshin nga Ana Gjoshi, duke iu kufizuar mundësinë për të dalë jashtë. Kur është përpjekur të largohet, ajo është ndaluar, me arsyetimin se nuk kishin pasaporta dhe se policia ishte e “blerë”, duke mos i lejuar të dorëzoheshin tek autoritetet.
M.L ka dëshmuar se ishte ftuar në Kosovë nga një shoqe e quajtur Saray, e cila më pas i kishte dhënë kontaktin e Anës. Me të mbërritur në Kosovë, ajo fillimisht ishte dërguar në një shtëpi, e më pas në një klub, ku kishte nënshkruar një kontratë në shqip, të cilën nuk e kuptonte. Menaxherja e kishte detyruar të fillonte punën menjëherë, duke e nxitur që t’u lutej klientëve që ta preknin. Këtë duhej ta bënte për të shlyer borxhin e udhëtimit nga Kolumbia, në vlerën 2,300 euro.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se edhe Dodë Rica, duke abuzuar me autoritetin e tij, e kishte detyruar të kryente marrëdhënie me të.
Gruaja me inicialet D.J. ka deklaruar në Polici se, sipas kontratës së nënshkruar në shqip, ishte e detyruar të vallëzonte, të ulej në prehër të klientëve, të pinte me ta dhe të shfaqej në hapësira private. Këto veprime ishin të nevojshme për të shlyer borxhin e udhëtimit nga Kolumbia. Ajo e konsideron veten një viktimë të trafikimit, pasi ishte detyruar të kryente veprime kundër vullnetit të saj për të shlyer borxhet.
Një tjetër viktimë, me inicialet A.M.S.V., ka deklaruar në Polici se shoqja e saj Gabriela i kishte kërkuar nënës së saj të shkruante një letër për të konfirmuar se ajo kishte ardhur në Kosovë me vullnetin e saj, pasi nëna e saj e kishte njoftuar Interpolin. Gjatë punës në klub, ajo ka përjetuar presion të vazhdueshëm për të rritur konsumin e pijeve, shkruan Insajderi.
Y.A.A. ka deklaruar në Polici se ishte ftuar në Kosovë nga Ana, me ftesën e përgatitur nga Doda, i cili e kishte marrë nga aeroporti dhe e kishte dërguar në klub. Para se të vinte policia, ajo kishte punuar vetëm dy ditë. Megjithatë, Ana nuk i kishte treguar se vajzat prekeshin nga burrat në klub.
D.V.O.S. ka deklaruar se kishte ardhur nga Kolumbia përmes Panamasë, Stambollit, Athinës dhe Tiranës. Udhëtimi ishte organizuar nga Ana, me të cilën kishte kontaktuar nëpërmjet Instagramit. Sipas saj, me të mbërritur në Kosovë, kushtet e punës nuk ishin ndryshe nga ato që i ishin shpjeguar më herët.
T.A.Z.S. ka deklaruar në Polici se, në ditën e mbërritjes në Kosovë, nuk kishte filluar punën, pasi atë ditë kishte ardhur policia.