I dërgon ofertë portierit të Kombëtares

- Bota Sot

I dërgon ofertë portierit të Kombëtares

Flamurtari kërkon që të krijojë një ekip konkurrues pas rikthimit në Superiore. Në këto kushte, klubi vlonjat ka nisur “vrullshëm” kontaktet e para në këtë merkato verore.

Sipas shtypit të shkruar, Flamurtari kërkon goditjen e madhe të kësaj merkato, pasi i ka dërguar ofertë konkrete portierit të Kombëtares. Bëhet fjalë për Elhan Kastratin, i cili momentalisht luan me Cittadella në Itali.

Klubi italian ra nga Serie B dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie C.

Pikërisht kjo mund të jetë një arsye, që do të detyronte Kastratin që të largohej nga ekipi aktual, për të nisur një aventurë të re në Superiore.

Kujtojmë se 29-vjeçari e ka nisur karrierën e tij tek Teuta, për të luajtur më pas me Curi Juniores, Pescara, Piacenza, Trapani dhe së fundmi Cittadella. Kastrati ka zënë vend stabël edhe në Kombëtare, duke qenë prej kohësh njëri prej 3 portierëve që ftohen tek kuqezinjtë.

Përsa i përket aventurës së tij me Cittadella, gardiani shqiptar është prej vitesh titullar absolut. Edhe në sezonin që lamë pas, Kastrati luajti në 30 ndeshje, duke pësuar 44 gola dhe duke mbajtur portën e paprekur në 9 raste.



Lexoni të gjitha në Bota Sot