Aleksandar Kolarov rikthehet tek Interi. Pas eksperiencës së tij si lojtar me fanellën zikaltër midis viteve 2020 dhe 2022, ish-mbrojtësi serb është gati të rikthehet në Milano. Ai do të jetë zëvendëstrajneri i Interit dhe do të ulet në pankinë përkrah Christian Chivu.
Që nga nëntori i vitit 2024, Kolarov është në detyrë si trajner i Kombëtares U-21 të Serbisë. Përpara se të zyrtarizohet kalimi i tij tek Interi, do t’i duhet të zgjidhë kontratën me federatën serbe.
Kolarov mbërriti te Interi në verën e vitit 2020, pas tri vitesh te Roma. Me zikaltrit fitoi një kampionat, një Kupë Italie dhe një Superkupë. Në vitin 2022 u tërhoq nga futbolli si lojtar, pas vetëm 15 ndeshjesh dhe një asisti me fanellën e Interit.
Para se të merrte rolin e trajnerit, Kolarov u zgjodh drejtor sportiv i Pisa në verën e vitit 2023, aventurë që zgjati vetëm një muaj për shkak të largimit të tij të parakohshëm nga klubi. Tani për të është gati një aventurë e re.
Dje në mbrëmje, drejtuesit e Interit zhvilluan një darkë me drejtuesit e Parmës (të përfaqësuar nga administratori i deleguar Cherubini) për të diskutuar mbi të ardhmen e Ange-Yoan Bonny.
Të pranishëm ishin edhe Marotta, Ausilio dhe Baccin, që do të përpiqen t’ia marrin talentin francez klubit verdheblu.
Bonny ka qenë tashmë nën drejtimin e Chivu sezonin e kaluar dhe është emri i preferuar për repartin ofensiv. Por nuk mbaron me kaq. Gjatë takimit janë diskutuar edhe emrat e Giovanni Leoni dhe Adrian Bernabé, të dy tashmë në shënjestrën e Interit. Ndërkohë, Parma ka shprehur interes për Pio Espositon dhe mund të bëjë një tentativë për ta marrë në skuadrën e vet.