Esat Mala ka rinovuar edhe për një vit me Vllazninë. Ky do të jetë sezoni i katërt për Malën te kuqeblutë në Superiore.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se rrugëtimi ynë i përbashkët me futbollistin Esat Mala do të vijojë edhe për të katërtin sezon rradhazi.
Lojtari dhe drejtuesit e klubit kanë arritur akordin që bashkëpunimi të vijojë edhe për një sezon tjetër. Sa më shumë suksese me fanellën kuqeblu”, shkruan Vllaznia.
Mala u përfol edhe si një dëshirë e Partizanit ndër të tjerë. Në fund Vllaznia ia doli të bindë 26-vjeçarin, që spikati në sezonin e fundit.
Në 36 ndeshje të kampionatit, ia doli të shënojë 7 gola dhe asistojë 12 të tjerë. Vllaznia e mbylli sezonin si nënkampione, pasi u mposht nga Egnatia në finale.