Xhenaro Gatuzo është kthyer në kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Italisë. Ish-mesfushori i njohur shihet nga drejtuesit e federatës si personi i cili mund të ndryshojë disi fatet e ekipit, të paktën sa i përket imazhit të një skuadre që zbret në fushë me dëshirë, përtej rezultateve që po lënë për të dëshiruar dhe rrezikojnë të mbajnë Italinë jashtë Botërorit të tretë radhazi.
Gatuzo do të takohet nesër me drejtuesit e Federatës Italiane për herë të parë për të diskutuar mundësinë që të bëhet trajneri i ardhshëm i të kaltërve pas shkarkimit të Splaetit.
Një zgjidhje emergjence, ashtu siç cilësohen edhe ato të Fabio Kanavaros apo Daniele De Rosit, të cilët gjithashtu shihen si kandidatë.
Kjo, pasi eksperiencat e Gatuzos në pankinë nuk kanë qenë me fund të lumtur. Sidomos tre të fundit, te Olimpik Marseja, Valencia e Hajduk Split, janë mbyllur si dështime. Gatuzo pak ditë më parë u largua nga klubi kroat që vlerësoi se puna e italianit nuk ishte e mjaftueshme për të synuar një titull kampion, ndonëse kishte ekipin e mbushur me yje të futbollit ndërkombëtar si Rakitiç, Kaliniç, Livaja apo Trajkovski.