Brazilianët janë në festë pas fitores minimale 1-0 ndaj Paraguajit, një rezultat që i siguron kualifikimin për Kupën e Botës 2026.
Protagonisti kryesor i kësaj ndeshjeje ishte Vinicius Jr, i cili shënoi golin vendimtar dhe i dha Brazilit biletën për Botërorin, një dhuratë e veçantë për trajnerin e ri të kombëtares, Carlo Ancelotti, që tashmë ka më shumë kohë për të ndërtuar skuadrën.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi për mrekulli. ‘Ylli’ i Real Madridit mori një karton të verdhë që do ta penalizojë për ndeshjen e radhës kundër Kilit, që tashmë është jashtë garës.
Ky pezullim nuk u prit mirë nga sulmuesi brazilian, që nuk e fshehu zhgënjimin.
Pas ndeshjes, Vinicius deklaroi:
“Jam shumë i lumtur për këtë rezultat.
Ishte e domosdoshme të fitonim në shtëpi, edhe për tifozët tanë, dhe të siguronim kualifikimin për Kupën e Botës, që ka qenë objektivi ynë kryesor.
Tani trajneri do të ketë më shumë kohë për të punuar dhe për të parë se çfarë duhet përmirësuar.
Nuk ishte një nga ndeshjet tona më të mira, por në kualifikuese gjëja më e rëndësishme është fitorja dhe përgatitja për Botërorin.”
Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e 44-t të pjesës së parë: një aksion i shpejtë nga Raphinha në të djathtë, pasuar nga një kros i Matheus Cunha për Vinicius, i cili nuk gaboi përballë portës.
Në lidhje me kartonin që e përjashton nga ndeshja me Kilin, Vinicius komentoi:
“Më vjen keq që nuk do të luaj ndeshjen e ardhshme.
Në kualifikuese është gjithmonë e ndërlikuar. Mjaftojnë dy kartonë dhe rrezikon. Bën një faull dhe je menjëherë në limit.
Tani është koha për të festuar këtë kualifikim. Disa lojtarë do të shkojnë me pushime, disa të tjerë kanë ende impenjime përpara, por shpresoj që të gjithë ta shijojnë këtë moment. Nga shtatori, duhet të fillojmë përgatitjet për Kupën e Botës.”