"Evropa është e rrethuar nga një brez vendesh në krizë"

- Bota Sot

"Evropa është e rrethuar nga një brez vendesh në krizë"

Gjithnjë e më shumë njerëz po e lenë vendlindjen për shkak të luftës, dhunës dhe persekutimit. Në të njëjtën kohë, fondet për ti ndihmuar ata po bëhen gjithnjë e më të pakta. Ky është vlerësimi i zymtë i një raporti të ri nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR). Në fund të prillit, kishte më shumë se 122 milionë gra, burra dhe fëmijë të zhvendosur me forcë në të gjithë botën - dy milionë më shumë se vitin e kaluar.

Sipas raportit numri i personave të zhvendosur është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit. Ndërkohë që burimet financiare në dispozicion të UNHCR-së janë në të njëjtin nivel si në vitin 2015, sipas Filippo Grandit, Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. "Po përjetojmë një rënie dramatike të burimeve", thotë ai. Kjo pjesërisht për shkak të ngrirjes së kontributeve të SHBA-së, por edhe sepse vendet e tjera po kontribuojnë më pak. "Pra, kemi më pak para dhe shumë më tepër njerëz për të ndihmuar në situata shumë komplekse", thekson Grandi.

Lufta zhvendos 14 milionë njerëz në Sudan

Një vendet më të prekura është Sudani. Lufta brutale ka detyruar të marrin arratinë gati 14 milionë njerëz. Mbi një milion refugjatë - kryesisht nga Sudani fqinj, janë në Etiopi. Por për sudanezët që kanë ikur në Etiopi, UNHCR-ja tani ka vetëm gjysmën e fondeve, krahasuar me vitin 2024. Kreu i UNHCR, Grandi shpjegon situatën. "Për shembull, na u desh të ndalonim të gjithë ndihmën për gratë e përdhunuara në këto luftëra - sepse programi financohej kryesisht nga SHBA-të. Kemi fëmijë të kequshqyer, trajtimi i të cilëve në spitale dhe kampe refugjatësh duhet të reduktohet në minimum në mënyrë që të krijohet shpejt vend për edhe më shumë fëmijë të kequshqyer që kanë nevojë për kujdes ekstrem."

Situatë e vështirë edhe në Afganistan e Ukrainë

Sipas raportit të fundit të UNHCR-së, Sudani është vendi me krizën më të rëndë të refugjatëve në botë. Vatra të tjera të nxehta krize përfshijnë Afganistanin,  me më shumë se dhjetë milionë të zhvendosur, dhe Ukrainën, me gati nëntë milionë persona të zhvendosur. UNHCR përfshin në raport gjithashtu edhe njerëzit që janë të zhvendosur brenda vendit të tyre. Ata përfaqësojnë shumicën: Numri i personave të zhvendosur brenda vendit është rritur me mbi gjashtë milionë, sipas raportit. Shumica dërrmuese e refugjatëve - siç e konfirmon edhe një herë raporti i ri - nuk jetojnë në rajone të pasura si Evropa, por në vende të varfra si Etiopia, e cila strehon 73 përqind të refugjatëve krahasuar me vende të tjera në botë.

"Por në vendet e pasura gjithmonë ekziston perceptimi se të gjithë duan të shkojnë atje - se po vjen një invazion i pakontrollueshëm i refugjatëve. Ky perceptim kultivohet me kujdes nga njerëz të caktuar në establishmentin politik që e përdorin atë për të fituar zgjedhjet", shprehet Filippo Grandi.

Sipas një analize të kohëve të fundit nga organizata Oxfam, shtetet e G7-ës , vendeve më të rëndësishme të industrializuara perëndimore pritet të ulin shpenzimet për ndihmën zhvillimore me 28 përqind deri në vitin 2026. Përtej anës morale, këto vendime politike janë gjithashtu "shumë dritëshkurtra" në interesin vetjak kombëtar, thotë Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Grandi. Sepse mungesa e ndihmës në fund të fundit do ti shtyjë njerëzit të ikin drejt Evropës.

"Evropa është e rrethuar nga një brez vendesh në krizë", tha Grandi. "Nëse tani na duhet të përgjysmojmë ndihmën humanitare, siç po ndodh, kjo do të çojë në lëvizje migrimi. 250,000 sudanezë janë aktualisht në Libi sepse nuk mund të marrin më ndihmë në Sudan ose në vendet fqinje. Dhe të gjithë e dimë: të shkosh në Libi do të thotë të ecësh përpara - drejt Evropës."/DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot