Trajneri i ekipit kombëtar të Polonisë, Michal Probierz, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, vetëm disa ditë pasi Robert Lewandowski njoftoi largimin nga ekipi nën drejtimin e tij.
Kjo lëvizje mund t’i hapë rrugë rikthimit të sulmuesit të Barcelonës në kombëtare, pasi ai kishte kushtëzuar kthimin me largimin e Probierz.
Përplasja mes tyre nisi kur Lewandowski u njoftua se shiriti i kapitenit do t’i kalonte mesfushorit Piotr Zielinski.
Pas kësaj, lojtari deklaroi publikisht se kishte humbur besimin te trajneri dhe se nuk do të luante më për Poloninë për aq kohë sa ai do të ishte në krye.
Në deklaratën e dorëheqjes, Probierz falënderoi bashkëpunëtorët, lojtarët dhe tifozët për mbështetjen gjatë periudhës së tij si trajner.
Federata Polake e Futbollit gjithashtu shprehu mirënjohje për kontributin e tij dhe i uroi suksese në të ardhmen.
Dorëheqja e tij vjen pas një Euro 2024 zhgënjyese, por Polonia ka treguar përmirësim në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, ku ka mbledhur gjashtë pikë nga tre ndeshje.
Rikthimi i Lewandowskit mund të jetë një shtysë vendimtare për vazhdimësinë.