Mali i Zi do ta mbështesë hyrjen e Kosovës në KiE, thotë zv/kryeministri Ibrahimoviq

- Bota Sot

Mali i Zi do ta mbështesë hyrjen e Kosovës në KiE, thotë zv/kryeministri Ibrahimoviq

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme në Mal të Zi, Ervin Ibrahimoviq, tha për transmetuesin publik RTCG se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës,

Ai theksoi se kjo çështje nuk do ta rrezikojë koalicionin qeverisës, sepse objektivat e politikës së jashtme janë përcaktuar qartë.

“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që nxit marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, ne do ta mbështesim vendin tonë mik, Kosovën, sepse është një përparësi e politikës së jashtme të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me atë rrugë”, tha Ibrahimoviq.

Ndër të tjera, ai foli edhe për rrugën e vendit të tij drejt anëtarësimit në BE, për çka tha se “Mali i Zi do të drejtojë të gjithë forcën dhe energjinë e tij për të përfunduar negociatat me BE-në deri në fund të vitit 2026”.

Ibrahimoviq theksoi se ata kanë marrë sinjale pozitive nga BE-ja dhe theksoi se Mali i Zi i është afruar rrugës së tij evropiane me shumë përgjegjësi.

“Çdo gjë që Mali i Zi po bën po funksionon mirë. Të gjitha rregullat në rrugën evropiane janë të qarta dhe ne kemi marrë një angazhim”, tha Ibrahimoviq. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot