LVV në Prizren: Subvencionet në kulturë e sport po ndahen për të afërmit e pushtetit

- Gazeta e Prizrenit

LVV në Prizren: Subvencionet në kulturë e sport po ndahen për të afërmit e pushtetit
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar lidhur me ndarjen e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, duke shprehur bindjen se kriteri për përfitimin e shumave të mëdha ka qenë afërsia me pushtetarët lokalë.

Dafina Alishani nga LVV ka pohuar se tashmë është e qartë qasja e DKRS-së ndaj OJQ-ve që nuk janë të afërta me pushtetin.

“I gjithë komuniteti sportiv dhe kulturor e din qasjen e drejtorit të DKRS-së dhe i gjithë qyteti e din edhe cilat festivale dhe cilat OJQ e cilat klube sportive përkrahen me shuma më të mëdha se sa e meritojnë”, është shprehur ajo, duke publikuar edhe vlerat e projekteve të mbështetura nga DKRS-ja.

“Thirrjet për subvencion mos i bëni me kritere për projekte, por i bëni me kritere se sa janë të afërt me pushtetin”, ka shtuar Alishani, duke shprehur qëndrimin se Prizreni nuk e meriton këtë qasje.

Sipas listës së publikuar nga Alishani, përfituesit në sektorin e kulturës në Lot 1 janë Prizren Rock and Blues Festival me 119 mijë euro, Prizren Fest me 90 mijë euro, “Zambaku i Prizrenit” me 60 mijë euro dhe DokuFest me 51 mijë euro. Në sport në Lot 1 si përfitues figuron KB “Bashkimi” me 95 mijë euro.

Ilir Gashi nga LVV ka theksuar se ndarja e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit është pasqyrë e qartë e një mentaliteti të kalbur klientelist, që për katër vite me radhë e ka mbërthyer këtë komunë nën menaxhimin e Shaqir Totajt dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Nuk ka më as pikë dyshimi: prioriteti kryesor në këtë proces nuk ka qenë as kultura, as rinia, as sporti, por shërbimi ndaj një rrethi të ngushtë partiak, politik e familjar. Kriteret ligjore, profesionale e morale janë shpërfillur në mënyrë të turpshme. Subvencionet janë ndarë jo mbi bazën e përvojës, meritës, rëndësisë publike apo impaktit real në zhvillimin intelektual, kulturor e turistik të qytetit, por sipas afërsisë me partinë në pushtet dhe me njerëzit e kabinetit të kryetarit Totaj. Kjo është një tallje me qytetarët, me artistët, me aktivistët, me të rinjtë dhe me çdo njeri që ka kontribuar ndershmërisht për këtë qytet”, është shprehur Gashi.

Sipas tij si rezultat i kësaj qasjeje organizatat që nuk kanë afërsi politike apo partiake me Shaqir Totajn, ose nuk kanë përfituar fare nga subvencionet e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ose kanë përfituar ndjeshëm më pak se vitin e kaluar.

Ai ka shtuar se shuma të majme kanë përfituar organizata që janë themeluar vetëm pasi Totaj ka marrë mandatin.

“Organizata të regjistruara në emër të grave, kunatave dhe miqve të bashkëpunëtorëve partiak, politikë e të “shoqërisë civile” të Shaqir Totajt.

Disa nga përfituesit nuk kanë asnjë faqe interneti, asnjë aktivitet të dokumentuar publikisht dhe asnjë kontribut të njohur për komunitetin prizrenas. Ka organizata që e kanë selinë jashtë territorit të Komunës së Prizrenit por që çuditërisht gjejnë vend në listën e përfituesve”, ka shkruar Gashi, raporton Telegrafi.

Tutje ka theksuar se dy festivale të inicuara nga vetë Shaqir Totaj kanë përfituar mbështetje rekorde, megjithëse janë relativisht të reja dhe pa ndonjë trashëgimi apo ndikim të provuar.

“Ose pas kësaj qëndron vetë kryetari Totaj dhe vartësi i tij për kulturë, ose kanë caktuar një komision të paaftë dhe joprofesional, i cili nuk është në gjendje të vlerësojë projekte që pasqyrojnë shpirtin krijues, artistik e intelektual të Prizrenit”, ka bërë të ditur Gashi, duke bërë thirrje për reagim ndaj këtij “abuzimi të paskrupullt me paranë publike”.

DokuFest nga zyrtarët komunalë ka kërkuar transparencë lidhur me arsyet për zvogëlimin e përkrahjes për këtë ngjarje kulturore.

“Derisa buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Prizrenit është duke u rritur nga viti në vit, në këto dy vitet e fundit subvencionet e DKRS për DokuFestin janë duke u zvogëluar! Nëse ky veprim i drejtorisë përkatëse nuk është çështje buxhetore, atëherë ne kërkojmë sqarim publik se cilat janë arsyet e zvogëlimit të përkrahjes për festivalin tonë, i cili gjerësisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë”, thuhet në reagimin e publikuar të mërkurën, raporton Telegrafi.

Reagimi i DokuFestit ka ardhur pas njoftimit të DKRS-së, në të cilin thuhej se vlera e mbështetjes për këtë festival gjatë katër viteve (2022-2025) ka qenë rreth 500 mijë euro bashkë edhe me ofrimin e mbështetjes së pakursyer logjistike, organizative dhe hapësirave në shfrytëzim.

Ditë më parë, DokuFest ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit. Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar. /Telegrafi/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit