Ditë intensive te Milani

- Bota Sot

Ditë intensive te Milani

Milani ka nisur projektimin e sezonit të ri dhe në klub po punohet me ritëm të lartë si rrallëherë në vitet e fundit.

Kjo shihet që nga fakti se Igli Tare dhe Masimiliano Alegri janë mbledhur sot që në mëngjes në zyrat e qendrës së Milanelos duke punuar për të ndërtuar skuadrën e re.

Drejtuesi shqiptar dhe trajneri kanë marrë edhe stafin e plotë teknik për të detajuar punën që pret ekipin deri sa të fillojë sezoni i ri.

Por jo vetëm kaq, pasi është diskutuar me detaje plani për largimet e afrimet.

Pas lamtumirës së Reijnders pritet të ketë edhe të tjera dhe Tare me Alegrin po planifikojnë paralelisht përforcimet dhe ku do të ndërhyhet me paratë e siguruara nga shitjet, që pritet të kalojnë 120 milionë euro.

Në drekë atyre u është bashkuar edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka mbyllur pushimet e tij dhe sot është kthyer në Milano, për t’ia nisur punës me stafin kuqezi.

Ish-sulmuesi mbetet një këshilltar i jashtëm dhe nuk do të ketë më aq ndikim tani që Tare ka marrë rolin e drejtorit sportiv, por do të jetë më shumë një urë ndërlidhëse me pronarin Xherri Kardinale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot