Infantino: Të bashkojmë globin përmes futbollit

- Bota Sot

Infantino: Të bashkojmë globin përmes futbollit

Kur ka mbetur edhe një vit nga nisja e Kupës së Botës FIFA 2026, të 16 qytetet pritëse kanë shfaqur orën që fillon numërimin mbrapsht.

Presidenti i FIFA-s, Infantino, e ka quajtur një ditë feste, ndërsa botërorin si një veprimtari që bashkon të gjithë globin nëpërmjet futbollit.

Për të festuar momentin historik, 16 qytetet pritëse kanë zbuluar orën që fillon numërimin mbrapsht, duke shfaqur emrin e qytetit pritës.

Orët janë instaluar në vende qendrore dhe ikonike në të gjithë qytetet pritëse dhe do të numërojnë mbrapsht deri në mesnatën e 11 qershorit 2026, kur ngjarja më e madhe sportive në botë fillon në Amerikën e Veriut. Botërori do të fillojë të enjten, më 11 qershor 2026, në Mexico City.

Me pjesëmarrjen e 48 ekipeve, duke bërë që Kupa e Botës FIFA 2026, të jetë edicioni më i madh dhe më gjithëpërfshirës deri më sot. Duke u zhvilluar në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, eventi i vitit të ardhshëm shënon botërorin e parë që do të organizohet në tre vende. Më 11 qershor 2026, bota do të mblidhet në Amerikën e Veriut për startin e Kupës së Botës FIFA 2026.

Edicioni i vitit 2026 pritet të mirëpresë 6.5 milionë tifozë në stadiume në të gjithë Kanadanë, Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkuar vërtet kontinentet dhe globin përmes futbollit.

Me këtë rast, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u shpreh: “Një vit nga tani, shfaqja më e madhe e futbollit në planet do ta magjepsë botën si kurrë më parë. Ky është më shumë se një turne, është një festë globale e lidhjes, unitetit dhe pasionit. Nga çdo cep i botës, ëndrrat po shndërrohen në realitet, teksa ekipet po kualifikohen dhe tifozët bëjnë planet e tyre për t’u bërë pjesë e historisë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot