Ky klub i madh e do Granit Xhakën

- Bota Sot

Ky klub i madh e do Granit Xhakën

Granit Xhaka, emri që po përmendet në zyret e Milanit

Në një verë ku Milani kërkon të rindërtojë jo vetëm skuadrën, por edhe shpirtin e saj garues, emri që buçet me forcë në zyrat e drejtuesve është ai i Granit Xhakës.

Një mesfushor me profil të qartë: i fortë si guri që mban emrin, lider në fushë dhe njeri që nuk fshihet asnjëherë kur loja kërkon karakter.

Pas emrit të Igli Tares si njeriu që do të drejtojë strategjinë sportive të skuadrës italiane, Milani ka zgjedhur të ndërtojë skuadrën duke filluar nga personalitetet, jo vetëm nga talenti.

Fillimisht u përmend Luka Modrić, simbol elegance dhe fitues në çdo skenë, por në skaj të këtij vizioni është vendosur edhe Xhaka – një figurë me një tjetër stil: më i ashpër, më tokësor, por po aq vendimtar.

Prej javësh, kontakti me Xhakën është vendosur. Lojtari është i hapur ndaj projektit, ndjen respekt për historinë e klubit dhe e sheh Milanin si një hap të natyrshëm në një karrierë që ka kaluar nga Premier League te Bundesliga, gjithmonë në nivelet më të larta.

Nga Arsenali te Bayer Leverkusen, Xhaka ka treguar jo vetëm qëndrueshmëri, por edhe një instinkt të rrallë për të udhëhequr dhe balancuar skuadrën në momente kyçe.

Ajo që pengon sot transferimin është Leverkuseni, që nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë një prej motorëve të suksesit të fundit. Kontrata e Xhakës zgjat deri në 2028, por paga e tij nuk është një pengesë për Milanin.

Negociatat do të jenë të ndërlikuara, por në “Casa Milan” ka besim se marrëveshja mund të arrihet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot