Përveç ndonjë surprize të madhe nga merkatoja, ose ofertave të parefuzueshme, Milani po përgatitet të mbajë dy nga pjesët më të rëndësishme të projektit të ri: Rafael Leao dhe Alexis Saelemaekers.
Qëndrimi i dy lojtarëve të krahut është një kërkesë e qartë e trajnerit Allegri, i vendosur t’i bëjë protagonistë të epokës së re kuqezi.
Sa i përket portugezit, mesazhi ka qenë i qartë që në ditët e para të ardhjes së tij: Leao është në qendër të projektit të ri dhe Milani synon të rilindë pikërisht falë talentit të tij shkëlqyes, por ndonjëherë i zbehur.
Hipoteza e një largimi, të paktën për momentin, duket e largët, veçanërisht duke marrë parasysh se klubi kryesor i interesuar, Bayern Munich, tashmë është fokusuar te Nico Williams. Leao, pra, është thirrur të jetë drita udhëheqëse e sulmit të Milanit.
Alexis Saelemaekers do të kthehet te Milani me synimin e qartë për të treguar vlerat e tij. Pas një huazimi të mirë te Bologna dy sezone më parë dhe një kampionati shumë pozitiv te Roma në sezonin që sapo u mbyll, belgu do të rikthehet në “Milanello” si një lojtar më i fortë, më i plotë dhe, padyshim, shumë i dobishëm për kauzën kuqezi.
Massimiliano Allegri, i njohur për vlerësimin e lojtarëve të aftë, që luajnë në disa pozicione, nuk ka ndërmend ta lërë të largohet anësorin. Saelemaekers do të vlerësohet me shumë kujdes gjatë grumbullimit para-sezonal, siç shkruan sot “Corriere dello Sport”.