Real Madridi ka zyrtarizuar transferimin e një prej talenteve më të mëdha të futbollit argjentinas.
Klubi mbretëror njoftoi sot se ka arritur marrëveshje me River Plate për Franco Mastantuono, i cili do të jetë pjesë e “Los Blancos” për gjashtë sezonet e ardhshme, nga 14 gushti 2025 deri më 30 qershor 2031.
Mastantuono, vetëm 17 vjeç, është cilësuar si një nga yjet më premtues të brezit të ri në Argjentinë.
Ai u rrit në akademinë e River Plate nga viti 2019 deri në 2024 dhe debutoi me ekipin e parë në sezonin 2024-2025.
Në shkurt të vitit 2024, ai hyri në historinë e klubit si golashënuesi më i ri ndonjëherë për Riverin, ndërsa gjithashtu ndihmoi ekipin të fitonte Superkupën e Argjentinës.
Përveç suksesit me klubin, Mastantuono ka hyrë në histori edhe me kombëtaren. Ai është lojtari më i ri që ka luajtur një ndeshje zyrtare me Argjentinën, duke theksuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm dhe të ardhmen që e pret në arenën ndërkombëtare.