Florian Wirtz ishte shumë pranë transferimit te Manchester City, por një detaj vendimtar ndryshoi rrjedhën e bisedimeve: mungesa e garancisë për të ardhmen e Pep Guardiolës.
Talenti gjerman, i konsideruar si një nga xhevahirët më të ndritur në tregun europian, e kishte prioritet të punonte me trajnerin katalanas, por për shkak se nuk iu ofruan siguri për vazhdimësinë e tij pas verës së vitit 2025, ai vendosi të nënshkruajë me Liverpoolin, kampionin aktual të Premier League, nën drejtimin e Arne Slot.
Marrëveshja mes Bayer Leverkusen dhe “The Reds” është finalizuar për një shumë historike: 116.5 milionë paund – një rekord i ri për tregun britanik. Shuma përfshin 100 milionë si bazë fikse dhe 16.5 milionë të tjera si bonuse të mundshme.
Vetëm 21 vjeç, Wirtz ishte në radarin e shumë klubeve të mëdha europiane, por ai zgjodhi një projekt të qartë dhe të qëndrueshëm. Pas largimit të Jürgen Klopp, Liverpool gjeti te Arne Slot një trajner me vizion ambicioz dhe stil loje tërheqës – pikërisht ajo që e bindi mesfushorin ofensiv për të bërë hapin drejt “Anfield”.
Ndërkohë te Manchester City, mungesa e një deklarate të qartë nga Guardiola ndikoi drejtpërdrejt në dështimin e transferimit. Megjithëse City kishte fuqinë financiare dhe sportive për të konkurruar, paqartësia rreth trajnerit spanjoll ndaloi gjithçka në momentet vendimtare. Në vend të Wirtz, ata përfunduan duke firmosur me Rayan Aït-Nouri, Tijjani Reijnders dhe Rayan Cherki.
Transferimi i Florian Wirtz në Premier League pritet të jetë një nga goditjet më të mëdha të verës dhe një shtyllë kyçe për një epokë të re suksesi te Liverpooli. Ndërsa në Manchester, mbetet vetëm pyetja: çfarë do të kishte ndodhur nëse Pep do të kishte thënë me siguri “Unë qëndroj”?