Galatasaray nuk po ndalet, ia mësyn edhe Ter Stegenit

- Bota Sot

Galatasaray nuk po ndalet, ia mësyn edhe Ter Stegenit

Barcelona shpreson të shesë disa lojtarë këtë verë, dhe një prej tyre që mund të jetë në listën e largimeve është Marc-André ter Stegen.

Pavarësisht se është kapiten i klubit, ai pritet të bjerë në rolin e portierit të tretë për sezonin 2025-26, pas afrimit të pritshëm të Joan Garcia dhe Marc Vidal, të cilët do të jenë më të preferuarit në hierarki.

Ter Stegen ka reaguar tashmë ndaj spekulimeve për të ardhmen e tij te Barcelona, duke e bërë të qartë se synon të qëndrojë në Katalonjë të paktën edhe për një sezon. Megjithatë, disa klube janë të gatshme ta testojnë vendosmërinë e tij, duke ditur se ai ka pak gjasa të luajë rregullisht përpara Kupës së Botës për Klube verën e ardhshme.

Një nga klubet që po ndjek situatën e gjermanit është Galatasaray. Sipas “Sport”, klubi turk ka kontaktuar Barcelonën për të mësuar kushtet e një transferimi të mundshëm gjatë verës.

Galatasaray është në kërkim të një portieri titullar për shkak të largimit të afërt të Fernando Muslera-s dhe kanë pyetur Barcelonën nëse planifikojnë një ndërprerje të kontratës me Ter Stegen, me shpresën për ta marrë atë si lojtar të lirë pa pagesë transferimi.

Barcelona mund ta marrë në konsideratë këtë mundësi për të kursyer pagën e tij të lartë për tre vitet e mbetura në kontratë, por raportet tregojnë se vetë lojtari nuk e sheh këtë si një opsion. Ai dëshiron të qëndrojë te kampionët e La Ligës.

Gjithashtu, theksohet se Ter Stegen nuk është objektivi kryesor i Galatasaray për portën. Prioriteti i tyre është Djordje Petrovic i Chelsea-t. Për këtë arsye, transferimi i 33-vjeçarit në Turqi duket i vështirë këtë verë – dhe kjo nuk është lajm i mirë për drejtuesit e Barcelonës që dëshirojnë largimin e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot