Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar sot Panairin e Librit në Prishtinë.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se libri është mjeti kryesor i një shoqërie të hapur, për një mendje të hapur sepse libri të sjell lirinë shpirtërore dhe atë mendore.
Lexoni të plotë postimin:
25 vite të panairit të librit në Prishtinë, në 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, 150 vjetorin e lindjes së Faik Konicës, 200 vjetorin e lindjes së Pashko Vasës dhe 400 vjetorin e lindjes së Pjetër Bogdanit.
Panairi i librit kësaj here ravijëzon krijimtarinë letrare shqiptare dhe përvojat më të hershme dhe më të bukura të njeriut: marrëdhënien me librin.
Numri i titujve të rinj është rreth 2000, derisa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 6000, e këtë vit vijnë nga rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, na përkujton se krijimtaria dhe fuqia e mendimit të artikuluar në faqet e një libri, prek horizonte e thellësi të reja ndjenje e ndjeshmërie, dije e vetëdije të cilat inteligjenca artificiale mundet vetëm t’i lakmojë.
Libri është mjeti kryesor i një shoqërie të hapur, për një mendje të hapur. Sepse libri të sjell lirinë shpirtërore dhe atë mendore.
Tituj ka shumë, që nga Rilindasit tanë deri te botimet më të fundit e aktuale, e dëshiroj dhe ftoj sa më shumë të rinj e të reja që t’i shfletojnë dhe shfrytëzojnë. Kohë ka edhe sot, edhe ditën e nesërme.