Një lojtar shpesh i kritikuar

- Bota Sot

Një lojtar shpesh i kritikuar

Çfarë sezoni ka bërë Ousmane Dembélé?

Një lojtar shpesh i kritikuar për pasaktësinë para portës dhe mungesën e vazhdimësisë gjatë karrierës, këtë vit me PSG ka shpërthyer plotësisht nën drejtimin e Luis Enrique, duke u kthyer në një “makinë” golash.

Në 49 ndeshje, në të gjitha kompeticionet, ish-lojtari i Barcelonës ka realizuar 33 gola dhe dhënë 15 asiste, duke qenë një nga liderët absolutë të skuadrës që fitoi për herë të parë në histori Champions League, pikërisht ndaj Interit.

Tani, Dembélé është një nga favoritët për të fituar “Topin e Artë”, objektiv që vetë e aspiron, por me qetësi. “Shpresoj të jem të paktën mes 30 të nominuarve, – deklaroi sulmuesi francez në një intervistë për “France Football”. – Kam kaluar vite të vështira me dëmtime, madje edhe me paraqitje zhgënjyese…

Këtë sezon mendoj se kam dhënë më të mirën, ndaj do të shohim çfarë do të ndodhë. Do të ishte e jashtëzakonshme ta shihja emrin tim në listë. Dhe të jesh mes favoritëve është tashmë një fitore e madhe, edhe pse shpresoj ta fitoj një ditë”.

Megjithatë, për Dembélé, “Topi i Artë” nuk është një obsesion: “Janë gjëra të vështira për t’u thënë (të synosh fitimin e ‘Topit të Artë’).

Natyrisht, të fitosh një ‘Top të Artë’ kur je futbollist, është padyshim kulmi individual. Është diçka që e ëndërron qysh fëmijë. Më kujtohet kur e transmetonin në ‘Téléfoot’, kur shihja lojtarët të merrnin ‘Topin e Artë’, ishte diçka e pabesueshme. Ai top…, është diçka e jashtëzakonshme”.

I pyetur për lidhjen e tij me futbollin, Dembélé shtoi: “Që i vogël kam dashur t’iu jepja gëzim njerëzve që vinin në stadium. Më pëlqen të dribloj, por jam edhe një lojtar që ndihmon shumë skuadrën, që dëshiron të asistojë, që shënon gjithashtu.

Pastaj, secili mendon çfarë të dojë dhe voton si të dojë. Nëse të pëlqen Ousmane Dembélé, mirë. Nëse nuk të pëlqen, jeta vazhdon. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot