Pak ditë pasi u shkarkua nga stoli i Italisë, pas humbjes 3-0 në Oslo Ndaj Norvegjisë, për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Luciano Spalletti ka marrë një ofertë shumë tunduese nga Al-Nassr.
Alfredo Pedulla zbulon se Luciano Spalleti ka marrë 3 oferta nga klubet arabe, por ai ka pranuar propozimin e Al-Nassr. Klubi ku luan edhe Cristiano Ronaldo, i ka ofruar Spalletti-t një kontratë 2-vjeçare dhe një rrogë të majme, 18 milionë euro në sezon.
Al-Nassr është gati të ndajë rrugët me Stefano Pioli-n, i cili dështoi sezonin e fundit duke mos arritur dot të fitojë asnjë trofe dhe pasuesi i tij mesa duket do jetë një tjetër italian si Luciano Spalletti. Bisedimet mes palëve janë drejt fundit dhe shumë shpejt pritet të vijë konfirmimi zyrtar.
Ndërkohë, disa ditë më parë Al-Nassr siguroi edhe qëndrimin e Cristiano Ronaldo-s për sezonin e ri. Pavarësisht ofertave nga shumë klube në kontinente të ndryshme, Ronaldo vendosi të respektojë kontratën me klubin arab dhe të qëndrojë aty.
Ai ka marrë premtimin nga drejtuesit e klubit që do të bëhen disa përforcime të rëndësishme në merkaton e verës me synimin që Al-Nassr të fitojë trofe sezonin e ri dhe një nga këto ndryshime është edhe ai i kreut të pankinës, ku Pioli do i lërë vendin Spalletti-t.