Fratezi vihet në qendër të projektit të Interit

- Bota Sot

Fratezi vihet në qendër të projektit të Interit

Pas largimit të Simone Inzaghit drejt Arabisë Saudite, Interi ka nisur një epokë të re nën drejtimin e trajnerit Kristian Kivu.

Dhe me ardhjen e ish-mbrojtësit në pankinën zikaltër, ka ndryshuar edhe fati i mesfushorit Davide Fratezi, i cili deri pak javë më parë ishte me valixhet gati për t’u larguar.

Në sezonin e fundit, Fratezi, i ardhur nga Sasuolo, pati vetëm 16 paraqitje si titullar dhe luajti më pak se 2000 minuta gjithsej.

Një shifër larg pritshmërive për një lojtar të profilit të tij, i cili në janar kishte shprehur publikisht dëshirën për të kërkuar më shumë hapësira diku tjetër. Madje, drejtuesit e klubit ishin të gatshëm ta lejonin të largohej.

Megjithatë, me mbërritjen e Kivusë, gjithçka ka marrë një kthesë të papritur.

Trajneri i ri e ka vënë menjëherë në qendër të projektit sportiv, duke i komunikuar këtë edhe gjatë një bisede njohëse para nisjes së përgatitjeve. Fratezi, i cili gëzoi dy ditë pushimi shtesë pas angazhimit me Kombëtaren, pritet të ketë një rol kyç në mesfushë, veçanërisht duke parë që Henrik Mkhitarian është drejt moshës 37- vjeçare dhe Suçiç mbetet ende një projekt për të ardhmen.

Edhe pse sezoni i kaluar nuk ishte më i miri për të nga aspekti i minutave, Fratezi arriti të shënonte dy gola të rëndësishëm në Champions kundër Bajernit dhe Barcelonës, që ndihmuan Interin të arrinte finalen në Monako, edhe pse ai vetë nuk luajti asnjë minutë në atë sfidë.

Kur largimi dukej thuajse i sigurt, rikthimi në qendër të vëmendjes nga trajneri i ri ka rikthyer edhe shpresat për të ardhmen e tij me fanellën zikaltër. Napoli dhe Roma vijojnë të jenë të interesuara, por çdo ditë që kalon duket se e afron gjithnjë e më shumë Fratezin me një qëndrim afatgjatë në Milano.



Lexoni të gjitha në Bota Sot