Në puntatën e fundit për këtë sezon të emisionit “Ora Sport” në televizionin “Ora News” i ftuar special ishte ish-futbollisti dhe trajner futbolli tashmë Ditmar Bicaj.
Në bisedë me moderatorin Klodi Karaj, Ditmar Bicaj rrëfen karrierën e tij futbollistike dhe sfidat me të cilat është përballur që në fillimet e tij.
Ai shprehet se shpesh nuk është vlerësuar në bazë të performancës së tij, por për shkak edhe emrit të babait të tij që është trajner.
Pavarësisht kësaj, ai ka arritur të tregojë veten në Superligën bullgare, ku ka kaluar dy sezone shumë pozitive.
Më pas është kthyer në Shqipëri për të luajtur me Tiranën dhe më vonë për 5 vite me Skënderbeun, me të cilin fitoi shumë trofe
Pasi largohet nga Skënderbeu, Bicaj pranon një ofertë nga Irani, ku përballet me sfida kulturore. Kthehet në Shqipëri për të luajtur me Partizanin.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Bicaj nis rrugën e trajnimit, fillimisht si ndihmës-trajner te Flamurtari dhe më pas si trajner i parë në ekipin e Burrelit.
Ai thekson rëndësinë e komunikimit të ndershëm mes trajnerëve dhe lojtarëve dhe thekson se planet e tij të ardhshme janë të vazhdojë karrierën si trajner në Superligën shqiptare ose atë të Kosovës, ku aktualisht ka një ofertë.