Një 28-vjeçar shqiptar i ka dhënë fund jetës në Australi, ndërsa është vetëhedhur nga lartësia në qendrën tregtare të Adelaides. Viktima është identifikuar si Mario Bacaj, një ish-futbollist me ekipin e West Adelaide Raptors.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën pranë Bar & Restorantit 2KW, i vendosur në katin e tetë të ndërtesës. Shërbimet e emergjencës reaguan menjëherë, duke dërguar në vendngjarje njësi të Shërbimit të Zjarrfikësve, ambulanca dhe automjete policie.
Ngjarja po trajtohet si një incident i lidhur me shëndetin mendor për shkak të depresionit, por hetimet vijojnë ende.
28-vjeçari shqiptar ishte baba i një djali të vogël. Në një postim në rrjetet sociale, ekipi i ka shprehur ngushëllimet familjes së Marios duke e përshkruar atë si një lojtar të shkëlqyet dhe një mik që u desh dhe u respektua nga të gjithë.
"Klubi është i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë, Mario Bacaj.
Mario ishte më shumë se një lojtar i shkëlqyer, ai ishte një mik që u desh dhe u respektua nga të gjithë në klub. Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen në këtë kohë shumë të vështirë. Do të mbetesh gjithmonë në mendjet tona, shoku. U prehsh në paqe”, thuhet në një mesazh të klubit.