Ademi sqaron situatën e Franco Fodas, flet edhe për prurje të reja

- Bota Sot

Ademi sqaron situatën e Franco Fodas, flet edhe për prurje të reja

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi në një intervistë për RTK në emisionin sportiv ‘AS’, ka sqaruar situatën për përzgjedhësin Franco Fodan si dhe ka folur për prurjet e reja të mundshme në Kombëtaren e Kosovës.

Ademi e ka pranuar se trajneri Franco Foda ka një ofertë të madhe financiare nga Arabia Saudite, por ende nuk dihet nëse do të largohet apo ajo.

Tekniku gjerman i Dardanëve është ‘tunduar’ me një ofertë të lartë financiare, në prag të nisjes së kualifikimeve për Kupën e Botës.

I pari i futbollit tonë, thotë se Foda ka rënë në sy falë tetë ndeshjeve pa humbje te Kosova, dhe që oferta që ka marrë është rreth katërfish më e madhe se sa ajo që paguhet në krye të “Dardanëve”.

Një trajner i tillë që në kombëtare i ka tetë ndeshje pa asnjë humbje, atëherë CV-ja ngritët. Ky (Foda) ka pasur oferta, por kjo është ekonomikisht shumë e mirë. Kam biseduar është në pushime, të mërkurën rikthehet dhe do të takohemi”, ka thënë Ademi.

“Nuk kishim pas qejf që të shkonte sepse kemi investuar në një projekt më gjatë. Foda ka kontratë deri në fund të kualifikimeve, me mundësi vazhdimi për dy vite. Nëse kualifikohemi atëherë automatikisht i vazhdohet për dy vjet. Kontrata aktuale qëndron deri në përfundim të këtyre garave kualifikuese. Me Fodan kemi projekt edhe për zhvillim, ka qëndru në Kosovë dhe e ka shikuar ligën. Të gjithë trajnerët janë në një vijë me Fodan”, theksoi ai.

“Sigurisht që klubet e kanë fuqinë ekonomike më të madhe. Shumat sidomos në vendet arabe janë shumë të mëdha, marramendëse. Është rreth katër herë më shumë se te na, aty janë shumat atje. Asnjë trajnerë nuk është nën 2 milionë në vit, nuk e dimë sa e ka saktësisht ofertën. E kemi lënë që pas pushimet të flasim, të shohim si i ka dëshirat dhe kërkesat dhe do të provojmë që Foda të vazhdojë në Kosovë”.

Kosova së fundmi u përforcua me Veldin Hoxhën, mirëpo Ademi shtoi se edhe dy yje nga Gjermania së shpejti mund të vishen bardhë e kaltër.

“Me Veldinin kemi kontaktuar qysh më moti, jemi kontaktuar që nga ndeshja Rijeka – Dukagjini, jemi takuar dhe biseduar me agjentin dhe familjen e tij”.

“Jemi në prag të marrëveshjes me disa lojtarë, në Gjermani mund të them se kemi dy yje që janë të rinj por janë yje. Jemi në bisedime dhe shpresoj që Avdullahu të ketë sukses në Hoffenheim, të prezantohet dhe të ketë suksese. Mezi s’presim që Leoni të na bashkëngjitet, shpresoj që Leonin ta kemi. Ende nuk është finale, por jemi në atë fazë”.

“Çdo herë, çdo ekip – që nga fillimi e dërgon në atë drejtim të kualifikimit. Ne këtë grup, jemi të barabartë që secila ekip ta mund tjetrën dhe ndaj secilës mund të humbësh. Për Zvicrën shkojmë për fitore, krijojmë ekip për me fitu. Në këtë grup nuk do të dihet deri në fund çfarë do të bëhet, por Kosova ka me të vërtetë një grup të fortë”, pohoi Ademi. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot