Analiza e Starovës: Në kohën e Rejës rrinte vetëm, Broja është më i pjekur tani

- Bota Sot

Analiza e Starovës: Në kohën e Rejës rrinte vetëm, Broja është më i pjekur tani

Trajneri i njohur i futbollit shqiptar, Sulejman Starova, ka folur së fundmi për talentin dhe potencialin e sulmuesit Armando Broja, duke theksuar se ai mbetet një nga lojtarët më premtues të brezit të tij, megjithatë nënvizoi edhe rëndësinë e përmirësimit në aspektet kolektive të lojës.

Në një intervistë për “MCN”, Starova vuri në dukje se pavarësisht cilësive fizike dhe teknike të Brojës, për të arritur potencialin e plotë duhet të punojë më shumë në bashkëpunimin me ekipin dhe në aspektet taktike, duke shfaqur shpresën që sulmuesi të kthehet në atë formë që të gjithë e presin. “Është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm.

E kanë thënë në Angli, kemi 30 vite pa parë një lojtar si Broja që të jetë i gjatë, të ketë karakteristikat e tij, të jetë i fuqishëm dhe të jetë kaq i shpejt, kaq shpërthyes. Por futbolli është një lojë kolektive në fakt, është grup. Nuk duhet të jesh i mirë vetëm në një kundër një dhe në mbajtjen e topit, por të punosh edhe në lojën pa top, të hapësh hapësira për shokët e ekipit, pra është më shumë sesa kaq dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kanë kaluar 4 vite në të njëjtën gjendje, ne urojmë që Broja të reagojë dhe të kthehet atje ku të gjithë ne e presim.

Në kohën e Edi Rejës, Armando rrinte vetëm, nuk shoqërohej me të tjerët, ndërsa tani është më i pjekur, nuk ka probleme të këtij lloji, shoqërohet me të gjithë djemtë e tjerë të Kombëtares, është në harmoni të plot me ta”, tha Starova në intervistën e tij. Aktualisht Broja është duke kërkuar për një destinacion të mirë, pasi gjasat janë që Çelsi të mos e ketë në plane për sezonin e ri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot