Dyshohet për rrahje të qytetarit pas shqiptimit të gjobës, kërkohet paraburgim për policin nga Prizreni

- Bota Sot

Dyshohet për rrahje të qytetarit pas shqiptimit të gjobës, kërkohet paraburgim për policin nga Prizreni

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin R.P. zyrtar policor, i cili ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Sipas Prokurorisë, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” si dhe “Lëndimi i rëndë trupor”, në kundërshtim me nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2025, rreth orës 21:35, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, kur zyrtarët policorë R.P. dhe N.B., gjatë ushtrimit të detyrës, i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje të dëmtuarit S.F. për parkim të palejuar.

“Në atë moment, i dëmtuari, i cili ndodhej brenda një kafiterie afër vendit të ngjarjes, ka dalë jashtë dhe ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, zyrtarët policorë i kanë kërkuar të dëmtuarit të paraqesë dokument identifikimi, por ai nuk i është bindur urdhrit të tyre”,thuhet në njoftim.

Prokuroria sqaron se gjatë tentativës për arrestim, “i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij,” dhe se kolegu i tij është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të.

Më pas, “i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore.”

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, R.P. ka kryer veprat penale të lartcekura dhe ndaj tij është kërkuar masa e paraburgimit për të siguruar rrjedhën normale të procedurës penale.

“Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin,” thuhet në fund të njoftimit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot