Juventusi po punon intensivisht për të siguruar shërbimet e përhershme të Francisco Conceiçao, talentit portugez që ka lënë gjurmë në Torino dhe ka fituar besimin e trajnerit të ri, Igor Tudor.
Trajneri kroat ka kërkuar nga drejtuesit bardhezi që anësori ofensiv të jetë pjesë e projektit afatgjatë të skuadrës, edhe pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.
Sipas “Corriere dello Sport”, bisedimet me Porton, që zotëron kartonin e Conceicaos, janë rikthyer në tryezën e diskutimeve. Portugezët kanë pranuar zgjatjen e huazimit deri në fund të muajit korrik, por Juventusi synon të mbyllë përfundimisht marrëveshjen këtë verë.
Një vit më parë, “Zonja e Vjetër” investoi rreth 7 milionë euro për huazimin e lojtarit, me një kosto totale që arrinte në 11 milionë euro përfshirë bonuset dhe pagën.
Tani, drejtuesit juventinë po kërkojnë të përfitojnë një zbritje të konsiderueshme nga klauzola e lirimit prej 30 milionë eurosh, duke ofruar 20 milionë euro për transferimin përfundimtar.
Në këtë operacion është përfshirë edhe menaxheri i njohur Jorge Mendes, i cili ka lidhje të ngushta me Juventusin dhe pritet të luajë një rol kyç në arritjen e marrëveshjes.