Chelsea luajti në stadiumin me 50.000 vende të zbrazëta

- Bota Sot

Chelsea luajti në stadiumin me 50.000 vende të zbrazëta

Ndeshja hapëse e Grupit D të Botërorit për Klube mes Chelsea dhe Los Angeles FC u zhvillua në një skenar surreal.

Në “Mercedes-Benz Stadium” të Atlantës, një nga arenat më moderne dhe më të mëdha në SHBA, kishte dhjetëra-mijëra vende bosh. Ky fakt duhet t’i bëjë organizatorët të reflektojnë, edhe në funksion të Kupës së Botës (të kombëtareve) që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Ndeshja nisi në orën 15:00 me orën lokale, në një të hënë pune, faktor që padyshim ndikoi në numrin e të pranishmëve.

Shifra zyrtare foli për 22.137 spektatorë në një stadium që ka kapacitet deri në 71.000 vende. Rripi i sipërm ishte i mbyllur plotësisht, ndërsa zona e mesme dukej mjaft e mbushur me tifozë, por sektori i poshtëm ishte i zbrazët. “Ambienti ishte pak i çuditshëm, stadiumi ishte pothuajse bosh, – pranoi trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, pas ndeshjes. – Ne jemi profesionistë dhe duhet të përshtatemi me çdo situatë, qoftë me stadium të mbushur, qoftë jo. Në fund, ajo që ka rëndësi është loja”.

As çmimet e biletave nuk ndihmuan. Kostoja minimale para fillimit të ndeshjes ishte rreth 43 euro, ndërsa gjatë ndeshjes mund të gjeje ende vende online për pak më shumë se 30 euro në thuajse çdo sektor. Distanca gjeografike gjithashtu pati ndikimin e vet. Los Angeles ndodhet mbi 3.000 km larg Atlantës, teksa LAFC u përfshi në këtë turne vetëm në momentet e fundit, për të zëvendësuar Club León.

Tifozët e paktë, por të zhurmshëm, të kalifornianëve u dëgjuan më shumë sesa numri i madh i tifozëve të Chelsea, të cilët u ngrohën vetëm në momentet e golave dhe kur në fushë hyri i riu Liam Delap.

Ky Botëror për Klube shihet nga FIFA si një provë gjenerale për Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Megjithatë, përgjigjja e vakët e publikut, me shumë ndeshje të programuara gjatë orarit të punës, ngre dyshime mbi interesimin e vërtetë për këtë turne në territorin amerikan.

Dhe të mendosh që vetëm dy vite më parë, po në Atlanta, Chelsea kishte arritur të mbushte pothuajse plotësisht stadiumin në një miqësore verore kundër Newcastle, përpara më shumë se 70.000 tifozëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot