Ekipi i futbollit të meshkujve të Breidablik është seksioni i futbollit për meshkuj i klubit shumësportësh me të njëjtin emër. Aktualisht luan në ligën më të lartë të futbollit për meshkuj në Islandë.
Ekipi në fjalë e ka bazën në Kópavogur, një qytet i madh që ndodhet pak në jug të kryeqytetit Reykjavík.
Breidablik është klubi i parë islandez i futbollit që ka luajtur në fazën e grupeve të një kompeticioni të madh europian të organizuar nga UEFA, konkretisht në sezonin 2023–2024 të “Conference League”.
Ndeshja e parë zyrtare e Breidablik u luajt më 12 qershor 1957, një humbje 1-0 ndaj Þróttur Reykjavík. Pas disa viteve në ligat e ulëta, Breidablik arriti të ngjitej për herë të parë në ligën më të lartë të vendit, Úrvalsdeild karla (Úrvalsdeild), në vitin 1971. Nga viti 1971 deri në vitin 2005, Breidablik lëvizte shpesh mes dy kategorive kryesore në Islandë, duke u ngjitur e zbritur rregullisht. Që nga ngjitja në “Úrvalsdeild” në vitin 2006, Breidablik është konsoliduar si një prej ekipeve më të forta në Islandë, duke luftuar rregullisht për tituj.
Trofeu i parë i madh i ekipit erdhi në vitin 2009 me fitoren e Kupës së Islandës, e ndjekur nga titulli i parë kampion në “Úrvalsdeild” në vitin 2010. Fitorja në Kupën e Islandës i dha mundësinë për debutimin në Europë, në raundin e dytë kualifikues të “Europa League” 2010-2011 ndaj Motherwell, ku u eliminua me rezultat të përgjithshëm 0-2.
Fitimi i kampionatit më 2010 i dha të drejtën të merrnin pjesë në Champions League 2011-2012, por u eliminua nga Rosenborg me rezultat të përgjithshëm 5-2. Fitorja e parë europiane erdhi në raundin e parë kualifikues të “Europa League” 2013-2014 me rezultatin 4-0 ndaj FC Santa Coloma nga Andorra.
Me një nga akademitë më të mëdha të të rinjve në Islandë, Breidablik është ndërtuar kryesisht mbi talente të rritura në shtëpi. Disa nga lojtarët që kanë dalë nga akademia e tyre dhe kanë luajtur me kombëtaren janë: Jóhann Berg Guðmundsson, Guðmundur Kristjánsson, Alfreð Finnbogason dhe Gylfi Sigurðsson.
Rekordet e klubit
Fitorja më e thellë në kampionat: 13-0 ndaj HK, viti 1999.
Humbja më e thellë në kampionat: 10-1 ndaj ÍA, viti 1973
Klubi Sportiv Breidablik
Breidablik u themelua më 12 shkurt 1950 në Kópavogur. Fillimisht ishte një klub i përgjithshëm sportive, pa ndarje të veçanta. Seksioni i futbollit u krijua më 1957, bashkë me seksione të tjera si atletika, hendbolli, shahu etj. Sot është klubi më i madh sportiv në Islandë me 12 degë të ndryshme.
Breidablik ishte klubi i parë islandez që ofroi stërvitje të rregullta për vajza që në vitin 1968 dhe gjithashtu është i vetmi ekip femrash që ka marrë pjesë në çdo sezon të ligës, që nga krijimi i saj më 1972.
Stadiumi “Kópavogsvöllur” ka kapacitet prej 3009 spektatorësh (1709 ulëse). Emri “Breidablik” vjen nga mitologjia nordike dhe ishte vendbanimi i Baldurit. Në vitet e para, Breidablik nuk pati shumë suksese në fushë, por gradualisht u rrit deri në stabilizimin në elitën e futbollit islandez nga viti 2006.