Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e së martës në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku një qytetar ka kërcënuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Burime të besueshme të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se patrulla e Trafikut Rajonal në Prizren, rreth orës 09:00 të datës 17 qershor 2025, ka ndaluar një automjet për tejkalim të shpejtësisë në zonën ku po zhvillohej kontroll me radar.
I dyshuari, E.H., rreth 26-vjeçar, sipas policisë, nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve dhe reagoi me fyerje dhe kërcënime serioze: “Nuk e dini se çfarë do ju bëj, keni për ta parë se kush jam unë!”
Menjëherë pas kërcënimeve, policët arritën ta neutralizonin dhe prangosnin të dyshuarin, ndërkohë që u njoftuan hetuesit rajonal të cilët morën në trajtim rastin.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në drejtim të veprës penale “Kanosje ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.