Shkëndija fiton në Slloveni

- Bota Sot

Shkëndija fiton në Slloveni

KF Shkëndija e Tetovës ka regjistruar fitore në ndeshjen e parë kontrolluese të zhvilluar në kuadër të fazës përgatitore në Slloveni, duke mposhtur ekipin rumun FC Argeș Pitești me rezultat 1:0.

Takimi u zhvillua në vendin Zreçe dhe shënoi hapjen e ndeshjeve përgatitore për sfidat që kuqezinjtë i presin në eliminatoret e UEFA Champions League.

Edhe pse lojtarët ndjenë peshën e ngarkesave të larta fizike dhe ritmit intensiv të stërvitjeve me nga dy seanca në ditë, skuadra kuqezi tregoi angazhim maksimal dhe dëshirë për lojë, veçanërisht në pjesën e dytë kur performanca ishte dukshëm më e kënaqshme.

Gjatë ndeshjes, u krijuan disa mundësi të mira për të shënuar. Fillimisht rast kishte skuadra rumune kur një gabim i mbrojtjes kuqezi në pjesën e parë u neutralizua me sukses nga portieri Astrit Amzai, i cili ruajti portën të paprekur.

Në një tjetër rast të mirë, pas një aksioni të ndërtuar me kujdes nga Kërstveski, topi iu pasua F. Ramadanit që goditi nga afërsia, por nuk arriti të shënojë.

Në fillimin e pjesës së dytë, pas një depërtimi të shpejtë nga krahu i majtë, Webster shërbeu një top të zgjuar për Ademin, i cili u gjend përballë portierit kundërshtar, por goditja e tij u ndal nga gardiani rumun.

Fitorja erdhi në minutat e fundit të ndeshjes, kur pas një aksioni të rrjedhshëm të Shkëndijës, Trumçi-Jakupi, asisti shkon për Tamba-n.

Ky i fundit u gjend në pozicion të favorshëm dhe finalizoi me qetësi për 1:0, duke realizuar golin e vetëm të takimit.

Kjo ndeshje shërbeu si test i parë në rrugëtimin përgatitor të ekipit, ndërsa trajneri Jeton Beqiri pati mundësinë të aktivizojë shumë lojtarë dhe të vëzhgojë nga afër gjendjen e skuadrës përpara fillimit të garave zyrtare.

SHKËNDIJA-ARGEȘ PITEȘTI 1:0 (0:0)

Terreni në Zreçe në Slloveni
Golashënues: Tamba 89’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Amzai, Murati, Meliqi, Fetai, Ajeti, Nuhija, R. Ramadani, Tamba, F. Ramadani (c), Kërstevski, Ademi.
Luajtën edhe: Gaye, Trumçi, Cake, Webster, Qaka, Latifi, Jakupi, Ceka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot