Barcelona e kanë bërë sërish publikisht Nico Williams objektivin e tyre kryesor për këtë verë, për të dytën herë radhazi. Megjithatë, ashtu si herën e parë, klubi katalanas do të duhet të sistemojë aspektet financiare përpara se të ndërmarrë një hap konkret.
Verën e kaluar, Barcelona përfundoi duke u fokusuar te Dani Olmo pasi Williams ishte i pasigurt për një transferim. Anësori bask kërkonte garanci për regjistrimin e tij, por këtë herë nuk e ka paraqitur këtë si problem – gjë që ka ndikuar në bindjen e presidentit Joan Laporta për ta provuar sërish transferimin e tij. Sidoqoftë, kufiri i pagave i vendosur nga La Liga mbetet ende një pengesë.
Një nga problemet kryesore për transferimin e Williams është se Barcelona duhet të paguajë klauzolën e tij të lirimit prej 58 milionë eurosh menjëherë dhe jo me këste, çka është më e vështirë. Më parë është raportuar se Barcelona i kishte kërkuar vetë Williams-it të ndërhynte për të bindur Athletic Bilbaon të negocionte për një marrëveshje, por sipas Mundo Deportivo, Athletic i ka bërë të qartë Barçës se nuk do të negociojë për klauzolën e tij.
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka komentuar sërish për aktivitetin e transferimeve të Barcelonës. Ai ishte më optimist për mundësinë që Barça të regjistrojë Joan Garcia, pasi kishin paguar klauzolën e tij prej 25 milionë eurosh, duke thënë:
“Një gjë është ta bësh zyrtar nënshkrimin e Joan Garcia-s, dhe një tjetër ta regjistrosh atë. Ata duhet të bëjnë disa lëvizje dhe të vendosin cilët lojtarë do të largojnë…
Dëgjoj shumë gjëra… As nuk e di më çfarë është e vërtetë nga ato që shkruhen. Barcelona nuk është nën rregullin 1:1. Mendoj se ata e njoftuan ditët e fundit që kishin paguar klauzolën e Garcia-s, por nuk e di nëse e kanë bërë realisht; nuk kuptoj shumë…
Barça duhet të bëjë disa gjëra për ta regjistruar, jo shumë, por disa duhet, dhe ata e dinë çfarë janë. Nuk do t’i them unë, por as data nuk kemi vendosur ende, kështu që do të shohim…”
Në lidhje me mundësinë për ta regjistruar Nico Williams, Tebas u shpreh më skeptik:
“Nuk e di, por në fund të fundit dëgjon shumë emra: Williams, ky, ai…
Së pari, duhet të ndodhin disa gjëra përpara regjistrimit – që nuk e di cilat janë. Por ata ende nuk i plotësojnë kushtet për të nënshkruar lirshëm; nuk mund të nënshkruajnë ende nën rregullin 1:1. Nëse duan Nico-n, do të duhet të shesin dhe të rregullojnë ndjeshëm llogaritë e tyre".