Tudor ka disa dyshime për formacionin titullar

- Bota Sot

Tudor ka disa dyshime për formacionin titullar

Juventusi është gati për të nisur aventurën në Botërorin e Klubeve, ku debutimi ndaj Al Ain do të zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së enjtes (19 qershor).

Trajneri Igor Tudor ka një ide të qartë, të mos rrezikojë shumë dhe të mbështetet te grupi që i siguroi “Zonjës së Vjetër” kualifikimin në Ligën e Kampioneve në ndeshjen e fundit të kampionatit në stadiumin “Penzo” të Venecias.

Skuadra ka nisur përgatitjet në Shtetet e Bashkuara, e izoluar në qetësinë e qendrës stërvitore, larg syve të publikut. Pikërisht aty, trajneri kroat po i jep dorën e fundit formacionit që do të zbresë në fushë me skemën 3- 4-2-1, firmë karakteristike e filozofisë së tij taktike.

PRAPAVIJA- Në portë konfirmohet Mikele Di Gregorio, ndërsa linja e tre qendërmbrojtësve pritet të ndryshojë disi. Pier Kalulu kthehet pas pezullimit, ashtu si edhe Federiko Gati, i rikuperuar nga dëmtimi. Trioja do të plotësohet me Daniele Ruganin, që pas huazimit tek Ajaksi është rikthyer për të mbushur boshllëqet e lëna nga mungesa e Bremerit dhe Kabalit, si dhe largimi i Renato Veigas. Lajm pozitiv është gjithashtu rikthimi i pjesshëm në stërvitje i Bremer, i cili pas dëmtimit të rëndë në gju ka kryer nxehjen me ekipin, por rikthimi i plotë i tij pritet vetëm në fillim të sezonit të ardhshëm.

MESFUSHA- Në mesin e fushës, kapiteni Manuel Lokateli është rikthyer në stërvitje me grupin dhe pritet të jetë titullar në sfidën kundër Al Ain, pasi ka kaluar problemet me kyçin e këmbës. Krahas tij, i palëkundur duket Kefren Turam, që është kthyer në pikë referimi në mesfushën bardhezi.

Në krahun e majtë, Andrea Kambiazo ka siguruar vendin e titullarit, ndërsa për korsinë e djathtë vazhdon gara mes Niko Gonzalez dhe Timoti Ueah.

SULMI- Pak dyshime ka edhe për përbërjen e trios sulmues. Kenan Jildiz është siguria, nga e cila do të nisë përsëri reparti sulmues i Juventusit.

Tudor këtë vit pret që talenti turk të bëjë përmirësimin përfundimtar në nivel. Ai do të zërë njërin prej dy vendeve pas sulmuesit kryesor, që, përveç ndonjë surprize, do të jetë Kolo Muani. Francezi, pas ardhjes së Tudorit në stol, ishte renditur pas Vlahoviçit në hierarki. Më pas, për shkak të formës së serbit dhe disa problemeve fizike, ish-lojtari i PSG-së kaloi përpara, duke shpërblyer besimin me gola shumë të rëndësishëm në fund të sezonit.

Për fanellën e fundit në dispozicion është një garë mes tre lojtarësh, një konkurrencë e ngushtë midis Kopmeinersit dhe Konseisaos, pa e nënvlerësuar opsionin e rëndësishëm të Vlahoviçit dhe Kolo Muanisë bashkë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot