Hull City interesohet për Arbër Hoxhën, në garë edhe Lecce dhe Kayserispor

- Bota Sot

Hull City interesohet për Arbër Hoxhën, në garë edhe Lecce dhe Kayserispor

Futbollisti shqiptar Arbër Hoxha është një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës.

Reprezentuesi i Shqipërisë, pritet të largohet nga Dinamo Zagreb dhe të nisë një aventurë të re në karrierën e tij, ndërsa interesimi për të po rritet dita-ditës.

Sipas mediave britanike, një nga destinacionet më të mundshme është Hull City, skuadër që garon në Championship.

Ky interesim lidhet ngushtë edhe me emërimin e trajnerit të ri të ekipit, Sergej Jakiroviq – i cili e njeh shumë mirë Hoxhën nga koha kur punuan së bashku te Dinamo Zagreb.

Siç raportohet, në ditët në vijim pritet të mbërrijë një ofertë zyrtare nga klubi anglez, megjithatë Hull City nuk është i vetmi që po ndjek me vëmendje situatën e 25-vjeçarit.

Edhe Lecce nga Serie A dhe Kayserispor nga Superliga turke kanë shprehur interes konkret për lojtarin, i cili duket i vendosur për të bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e tij.

Vendimi përfundimtar për të ardhmen e Arbër Hoxhës pritet të merret brenda pak javësh.



Lexoni të gjitha në Bota Sot