Në dilemë për Ronald Araújon, uruguajani mund të largohet për 65 milionë

- Bota Sot

Në dilemë për Ronald Araújon, uruguajani mund të largohet për 65 milionë

Emri i Ronald Araújos rikthehet në faqet e para të mediave në lidhje me merkaton.

Nuk është hera e parë, në fakt, që ndodh kjo. Tashmë, në janarin e vitit 2024, mbrojtësi uruguajan ishte shumë pranë Bayern Munich, operacion që më pas u bllokua nga Xavi Hernández për shkak të mungesave të shumta në mbrojtje. Në sesionin e fundit dimëror ishte Juventusi që insistoi shumë për të.

Pavarësisht rinovimit deri në vitin 2031, Araújo konsiderohet i shitshëm në “Camp Nou”. Vlera e tij në treg, rreth 80 milionë euro, e bën aset të rëndësishëm në një repart që ka disa lojtarë të tepërt.

Barcelona ka aktualisht 6 qendërmbrojtës për dy vende titullari (Christensen, Cubarsí, Íñigo, Eric García, Koundé dhe Araújo), por Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, e konsideron atë një profil unik dhe strategjik për projektin e ri të Hansi Flick, i cili gjithsesi është shprehur i gatshëm të pranojë çdo vendim të klubit.

Kandidati kryesor për t’u larguar nga klubi mbetet Christensen, kontrata e të cilit skadon më 2026 dhe nuk do të rinovohet. Gjendja e tij fizike (ka humbur thuajse të gjithë sezonin e fundit për shkak të dëmtimeve) dhe rënia e formës e bëjnë të vështirë shitjen e tij. Nga 1 korriku do të hapet një dritare 15-ditore merkatoje, në të cilën Araújo mund të largohet për 65 milionë euro.

Kjo klauzolë ka afat, përpara se të rikthehet te shifra standarde prej një miliard eurosh. Agjentët e tij janë vigjilentë, por mes dëshirës për të qëndruar, pagës prej 15 milionë euro bruto në vit dhe kërkesave të larta ekonomike, e ardhmja e uruguajanit mbetet të shkruhet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot